May: Vazhdoj të besoj në Brexit-in e rregullt, mund të realizohet edhe përpara 31 tetorit

Kryeministrja britanike, Theresa May, deklaroi të mërkurën vonë se ajo vazhdon të besojë që vendi i saj duhet të largohet me marrëveshje nga Bashkimi Evropian sa më parë të jetë e mundur.

May: Vazhdoj të besoj në Brexit-in e rregullt, mund të realizohet edhe përpara 31 tetorit

Në një konferencë shtypi pas samitit të liderëve evropianë në Bruksel, ku u ra dakord për shtyrjen e Brexit-it deri më 31 tetor, May tha se “divorci” mund të realizohet edhe përpara datës në fjalë.

“Unë pranova që Brexit-i të shtyhet jo më tutje se fundi i muajit tetor dhe vazhdoj të besoj se ne duhet të largohemi me një marrëveshje nga BE-ja sa më parë të jetë e mundur”, bëri me dije ajo.

“BE-ja pranoi që kjo shtyrje të përfundojë më herët nëse marrëveshja e Brexit-it merr miratimin e Parlamentit britanik”, vlerësoi shefja e Londrës zyrtare duke sqaruar se ka qenë ajo vetë që ua ka kërkuar këtë gjë liderëve të Unionit.

“Nëse ia dalim të kalojmë nga Parlamenti marrëveshjen e Brexit-it pa hyrë në javën e fundit të majit, atëherë s’do të detyrohemi të marrim pjesë në zgjedhjet evropiane dhe do të kemi mundësinë për të dalë nga BE-ja zyrtarisht të shtunën e 1 qershorit”, shtoi May.

Sipas saj, Britania rezervon të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian edhe gjatë këtij afati të shtyrjes së procesit të Brexit-it.

“Unë kam votuar 3 herë për t’u larguar nga BE-ja, por në Parlament nuk u siguria shumica e nevojshme”, tha Kryeministrja May duke fajësuar ligjvënësit britanikë për faktin që vendi i saj nuk arriti të largohet nga Unioni në datën e parashikuar, 29 mars.

Ndërkaq kryeministrja britanike la pa përgjigje dy pyetje nëse do të vazhdonte apo jo drejtimin e partisë dhe qeverisë së saj.



Lajme të ngjashme