Izrael – Sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme

Votuesit izraelitë kanë dalë sot në votime për 120 anëtarët e rinj të Knessetit (Parlamenti i Izraelit) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që mbahet edhe në ambasadat jashtë vendit.

Izrael – Sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme

Procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme filloi në orën 07.00 (me orën lokale) në 10.720 qendra votimi si dhe në ambasadat jashtë vendit. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 22.00.

Në zgjedhje, të cilësuara si më të fortat e viteve të fundit, 41 parti politike garojnë për të fituar sa më shumë nga votat e mbi 5 milionë e 800 zgjedhësve të regjistruar.

Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, që ishin mbajtur në vitin 2015, niveli i pjesëmarrjes në votime kishte mbetur në 71,8%.

Sipas anketave publike, që janë pasqyruar në media izraelite, pritet që garën ta kryesojë me një diferencë të vogël partia “Likud” e krahut të djathtë e kryeministrit Beniamin Netanjahu, dhe pas “Likud”, parashikohet të vijë aleanca e qendrës "E kaltra dhe e bardha", e udhëhequr nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali në pesion Benny Gantz dhe ish-gazetari Yair Lapid.

Pragu zgjedhor në Izrael është 3,25% dhe sërish sipas sondazheve të deritanishme nga 41 partitë politike që marrin pjesë në garë, vetëm 10 deri në 14 prej tyre do të arrijnë të hyjnë në parlament.

Asnjë nga forcat politike nuk ka gjasa që të sigurojë shumicën e nevojshme, 61 karrige për të formuar e vetme qeverinë, si rrjedhim Izraeli do të drejtohet sërish nga një qeveri koalicioni.

Gjatë fushatës, Netanjahu u zotua se asnjë kolon i vetëm nuk do të dëbohet nga Bregu Perëndimor, i cili do të mbetet nën kontrollin e Izraelit, ndërkohë që për Jerusalemin kishte premtuar mos-ndarje të tij.

Nëse Netanjahu, i cili përballet me akuza për korrupsion, fiton edhe një mandat tjetër, ai do të jetë kryeministri më jetëgjatë në detyrë në historinë e Izraelit.



Lajme të ngjashme