SHBA – Dunford: Shpresoj në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Turqinë për sistemet ruse “S-400”

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Dunford, u prononcua të martën në lidhje me debatet ndërmjet vendit të tij dhe Turqisë për blerjen nga kjo e fundit e sistemeve ruse S-400.

joseph dunford.jpg
Patrick Shanahan.jpg

“Unë shpresoj që do të arrijmë një marrëveshje me Turqinë”, deklaroi ai pas një takimi në Pentagon me ministrin e Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Jeong Kyeong-Doo.

I pyetur nga gazetarët për bisedimet rreth blerjes së sistemeve ruse të raketave S-400 nga Turqia, gjeneralarmate Dunford u përgjigj me këto fjalë: “Ende s’kemi hequr dorë nga kërkimi dhe gjetja e një rrugëzgjidhjeje për këtë çështje.”

Dunford rikujtoi gjithashtu se vendi i tij i ka propozuar Turqisë blerjen e sistemeve “Patriot”.

“Siç e dini, kjo është një çështje mjaft e komplikuar; pra, çështja e raketave S-400 dhe avionëve F-35. Ne e kemi bërë të qartë se këto sisteme nuk i përshtaten njëri-tjetrit. Megjithatë po përpiqemi për të përshkuar distancë dhe unë shpresoj që do të arrijmë një marrëveshje me Turqinë. Thënë ndryshe, e vërteta është se ne ende nuk kemi hequr dorë”, u shpreh kreu i ushtrisë amerikane.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së sekretarit të Mbrojtjes në SHBA, Patrick Shanahan, i pyetur nga gazetarët në Pentagon se çfarë do të ndodhë me avionët luftarakë F-35, u përgjigj duke thënë se pret që ata t’i dorëzohen Turqisë.

“Unë pres që ata (avionët F-35) të dorëzohen dhe kam shumë besim në propozimin që kemi dërguar në Turqi për sistemin ‘Patriot’, në vlefshmërinë, çmimin e tij dhe, ç’është më e rëndësishme, në pjesëmarrjen industriale që vjen së bashku me sistemin Patriot”, potencoi Shanahan.



Lajme të ngjashme