ShBA i thotë Rusisë se ajo nuk do të rrijë duarkryq në Venezuelë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i tha homologut të tij rus të hënën se Amerika dhe aleatët e saj nuk do të qëndrojnë anash, pasi Moska po i "përkeqëson tensionet" në Venezuelë.

ShBA i thotë Rusisë se ajo nuk do të rrijë duarkryq në Venezuelë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka kërkuar homologut të tij rus, Sergey Lavrov që të mos dërgojnë më shumë personel ushtarak në Venezuelë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Palladino ka bërë një komunikatë me shkrim, ku thotë se të dy ministrat e jashtëm kanë realizuar të hënën një bisedë telefonike.

Gjatë kësaj telefonate sekretari Pompeo i ka thënë homologut të tij rus, Lavrov se ShBA-ja dhe aleatët e saj në rajon nuk do të rrinë duarlidhur përballë veprimeve të Rusisë në Venezuelë.

"Futja e vazhdueshme e personelit ushtarak rus për të mbështetur regjimin e paligjshëm të (Presidentit të Venezuelës) Nicolas Maduro në Venezuelë rrezikon zgjatjen e vuajtjeve të popullit venezuelian, i cili mbështet fuqishëm presidentin e përkohshëm Juan Guaido. Pompeo i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë sjelljen e saj jokonstruktive dhe u ka bërë ftesë për pjesëmarrje vendeve të tjera që duan një të ardhme më të ndritur për popullin e Venezuelës”, thotë zëdhënësi në komunikatën e tij.

Ka të ngjarë që zëdhënësi Palladino ti jetë referuar më shumë se 100 ushtarëve dhe 35 tonë materialeve mjekësore, që siç raportohet Rusia i ka dërguar në Venezuelë këtë fundjavë me 2 avionë transportues ushtarakë.

Kriza në Venezuelë

Venezuela është tronditur nga një sërë protestash që prej datës 10 janar, kur Presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u ngritën kur Kryetari i Kuvendit Kombëtar me shumicë opozitare, Juan Guaido, u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës më datë 23 janar. Ky veprim u mbështet së pari nga SHBA-ja dhe pastaj nga Australia, Kanadaja, Kolumbia, Peruja, Ekuadori, Paraguai, Brazili, Kili, Panamaja, Argjentina, Kosta-Rika dhe Guatemala. Këtyre shteteve iu bashkua së fundmi edhe Parlamenti Evropian (PE).

Ndërsa Turqia, Meksika, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia konfirmuan mbështetjen e tyre për Presidentin venezuelas, Nicolas Maduro. Ky i fundit, pas zhvillimeve në fjalë, njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve politiko-diplomatike me SHBA-në duke përjashtuar ato tregtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump e pati vlerësuar dërgimin e trupave në Venezuelë si “një prej opsioneve” të mundshme.

 


Lajme të ngjashme