Izraeli: Të hënën Trump firmos dekretin për Lartësitë e Golanit

"Nesër Presidenti Trump në prani të Kryeministrit Netanyahu, do të nënshkruajë një dekret që i njeh sovranitetin Izraelit mbi Lartësitë Golan”, shkruante në një postim në Twitter të dielën ministri i Jashtëm në detyrë Yisrael Katz.

Izraeli: Të hënën Trump firmos dekretin për Lartësitë e Golanit

Pretendohet se deklarata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump për Lartësitë e Golanit, që mbahen të pushtuara nga Izraeli, do të zyrtarizohet sot.

"Presidenti Trump dekretin që i njeh sovranitetin Izraelit mbi Lartësitë e Golanit do ta firmosë në prani të Kryeministrit Netanyahu”, tha ministri i Jashtëm në detyrë dhe Ministri i Transportit të Izraelit, Yisrael Katz.

Në një postim që ka bërë në rrjetin social Twitter, Yisrael Katz ka konfirmuar lajmet që kanë qarkulluar në median izraelite, sipas të cilave Trump në takimin që do të ketë sot me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë do të nënshkruajë dokumentin që njeh “sovranitetin izraelit” në Lartësitë e Golanit.

“Lidhjet mes Izraelit dhe ShBA-së janë më të ngushta se kurrë”, shkruante gjithashtu në Twitter ministri i Jashtëm në detyrë Yisrael Katz.

Trump të hënën do ta mirëpresë Netanjahu për dy ditë bisedime në Shtëpinë e Bardhë përpara zgjedhjeve parlamentare të Izraelit në 9 prill.

Në një postim që kishte bërë në Twitter të enjten e kaluar (21 mars) presidenti amerikan, Donald Trump kishte shkruar se “pas 52 viteve kishte ardhur koha që ShBA-ja të njohë plotësisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit”.

Kjo deklaratë e Trump u prit me kritika të mëdha nga e gjithë bota, përfshirë Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, BE, Turqinë dhe shumë vende të tjera.

Lartësitë e Golanit janë territor sirian. Izraeli i mban të pushtuara ato që nga lufta e vitit 1967.

Kombet e Bashkuara i konsiderojnë Lartësitë e Golanit si territor i pushtuar.

 


Lajme të ngjashme