Turqia dërgon ndihma humanitare në Mozambikun e goditur nga një ciklon shkatërrues

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë (Kızılay) dërgoi 15 tonë ndihma në Mozambik pas ciklonit që goditi vendin.

Turqia dërgon ndihma humanitare në Mozambikun e goditur nga një ciklon shkatërrues

Recep Bora Atlihan, zyrtar i Gjysmëhënës së Kuqe në kryeqytetin Maputo të Mozambikut, deklaroi se ndihmat që përbëhen nga ushqime dhe materiale higjienike, së bashku me artikuj nga agjenci të tjera humanitare, do të arrijnë me kontejnerë përmes rrugëve detare deri në Beira, zona më e goditur nga cikloni “Idai”.

“Po planifikojmë të dërgojmë 15 tonë ndihma humanitare, ushqime të shpejta dhe furnizime për pastrim në një dërgesë fillestare që pritet të arrijë deri në portin Beira, deri të hënën”, tha Atlihan.

Ai gjithashtu theksoi se aktivitetet humanitare të Gjysmëhënës së Kuqe Turke kanë qenë të shpejta në rajon.

“Jemi duke bërë përpjekje që të shtrijmë një dorë të ndihmës nga vendi ynë për njerëzit në nevojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe shpresojmë të jemi të suksesshëm”, shtoi zyrtari turk.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dërgoi po ashtu pako ushqimore dhe higjienike në Beira, ndihma nga të cilat do të përfitojnë 600 familje për dhjetë ditë.

“TIKA punon për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve”, u shpreh koordinatori i programit të kësaj agjencie në Maputo, Omer Faruk Mergen, duke shtuar se pakot humanitare do të dorëzohen në anijen e parë që niset nga kryeqyteti i Mozambikut.

Duke vënë në dukje se ndarja e ndihmave do të organizohet nga ekipi TIKA-s, Mergen tha se “është e pamundur të shkohet në Beira përmes rrugëve tokësore”.

Pesë ditë pasi goditi Mozambikun, cikloni “Idai” shkaktoi dëme masive në gjithë Afrikën Jugore duke shkaktuar një emergjencë të madhe humanitare.

Sipas OKB-së, shumë zona në këtë vend kanë mbetur pa energji elektrike dhe pothuajse të gjitha rrjetet janë dëmtuar rëndë. / AA



Lajme të ngjashme