Gjermani – Maas: Po i afrohemi më shumë një Brexit-i pa marrëveshje

Berlini zyrtar ka paralajmëruar se rreziku për një Brexit pa marrëveshje është bërë më i mundshëm se kurrë më parë, pasi Parlamentit britanik refuzoi të votojë “marrëveshjen e përmirësuar” të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

1162812
Gjermani – Maas: Po i afrohemi më shumë një Brexit-i pa marrëveshje

“Me këtë votim në Britaninë e Madhe ne po i afrohemi më shumë një Brexit-i pa marrëveshje”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ku ai kritikoi gjithashtu deputetët që votuan kundër marrëveshjes së përmirësuar.

“Kushdo që hedh poshtë marrëveshjen luan në një mënyrë moskokëçarëse me mirëqenien e qytetarëve dhe ekonominë e vendit”, shkroi Maas.

“Marrëveshja e përmirësuar” e Brexit-it, paraqitur për votim nga Kryeministrja Theresa May, nuk arriti të kalojë mbrëmjen e së martës në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar duke u refuzuar nga shumica e deputetëve.

Shefi i diplomacisë gjermane tha se vendi i tij po përgatitet tashmë për skenarin më të keq të mundshëm.

“Megjithatë ne gjithashtu shpresojmë që në 17 ditët e ardhshme mund të shmangim Brexit-in e parregulluar, pasi kjo është akoma në duart e Dhomës së Ulët”, shtoi ministri Heiko Maas.

Deputetët britanikë pritet të votojnë të mërkurën nëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, ndërsa të enjten për shtyrje të datës së Brexit-it, caktuar për në fund të këtij muaji.



Lajme të ngjashme