Rrëzohet një avion i “Ethiopian Airlines” me 149 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit

Një avion i Linjave Ajrore të Etiopisë (Ethiopian Airlines) është rrëzuar gjatë fluturimit për në kryeqytetin Najrobi të Kenies.

Rrëzohet një avion i “Ethiopian Airlines” me 149 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit

Zyra e Kryeministrisë së Etiopisë bëri të ditur mëngjesin e së dielës se është rrëzuar një avion i “Ethiopian Airlines”, i cili është ngritur nga kryeqyteti Adis-Abebë i vendit për të shkuar në Najrobi.

“Në bordin e avionit që ka rënë 6 minuta pas ngritjes, ndodheshin 149 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit. Aksidenti ajror ka ndodhur në afërsi të lokalitetit Debre-Zeit, 50 km në jug të Adis-Abebës”, theksoi i njëjti burim.

Sipas transmetuesit shtetëror “EBC”, asnjë nga 157 personat në bordin e avionit nuk ka shpëtuar.

Kurse zëdhënësi i “Ethiopian Airlines” bëri me dije se pasagjerët ishin nga 33 kombësi të ndryshme, mes të cilëve 32 nga Kenia dhe 17 nga Etiopia.

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed dhe Presidenti i Kenies, Uhuru Kenyatta, u shprehën ngushëllimet e tyre më të sinqerta familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre në këtë aksident ajror.

Shkaqet e rrëzimit të avionit të Linjave Ajrore të Etiopisë, tip “Boeing 737-8 MAX” nuk janë ende të qarta.

Ekipet e shpëtimit janë në terren dhe së shpejti priten më shumë informacione rreth fatkeqësisë.

Kompania shtetërore “Ethiopian Airlines” shquhet si një prej kompanive ajrore më të mira në Afrikë.



Lajme të ngjashme