Vatikani do të hapë Arkivin Sekret për vitet e Luftës II Botërore

Papa Francesku njoftoi të hënën se Vatikani do të hapë arkivat që përfshijnë periudhën e Luftës II Botërore, kur në krye të Kishës Katolike ishte Papa Piu XII, i akuzuar për dështim në ballafaqimin me nazistët sa i përket çështje së holokaustit.

Vatikani do të hapë Arkivin Sekret për vitet e Luftës II Botërore

“Kisha nuk ka frikë nga historia, përkundrazi, kërkon ta dojë edhe historinë më mirë dhe më shumë, sikurse do Zotin”, deklaroi lideri shpirtëror i botës katolike gjatë një fjalimi drejtuar punonjësve të Arkivit Sekret të Vatikanit.

Arkivi do të hapet më 2 mars 2020, datë kjo që përkon me 81-vjetorin e zgjedhjes së Eugenio Pacellit (emri i tij i vërtetë përpara se të bëhej Papa Piu XII) në krye të Kishë Katolike.

“Unë shpresoj që studiuesit do ta gjykojnë këtë papë nga këndvështrimi i duhur. Do të gjykojnë diplomacinë e tij të fshehtë, por aktive në këtë periudhë të errët të historisë”, tha ai.

Papa Piu XII, në krye të Vatikanit nga data 2 mars 1939 deri më 9 tetor 1958, është akuzuar për indiferencë karshi gjenocidit nazist mbi hebrenjtë dhe dështim për të folur haptazi kundër Adolf Hitlerit.

Mirëpo përkrahësit e tij argumentojnë se Piu XII ka punuar fshehurazi dhe është përpjekur për të shpëtuar hebrenjtë e përndjekur nga nazistët duke hapur dyert e manastireve, konventave dhe objekteve të tjera të Kishës Katolike.



Lajme të ngjashme