Bernie Sanders: Donald Trump, “presidenti më i rrezikshëm i historisë së SHBA-së”

Senatori Bernie Sanders, i cili njoftoi në shkurt se do të jetë kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2020-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pretendoi të shtunën se Donald Trumpi është “presidenti më i rrezikshëm” i historisë së SHBA-së.

Bernie Sanders: Donald Trump, “presidenti më i rrezikshëm i historisë së SHBA-së”

Duke folur përpara simpatizantëve të tij në Bruklin të Nju-Jorkut, nga ku edhe startoi fushatën elektorale për presidencialet 2020, Sanders bëri kritika të ashpra për kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Pasi akuzoi Trumpin se është duke e përçarë popullin amerikan përmes racës, gjinisë dhe fesë, senatori i Vermontit premtoi bashkim dhe mirëqenie më të lartë.

Ai theksoi se presidenti amerikan, duke mbyllur qeverinë federale, la në situatë të vështirë rreth 800 mijë punonjës federalë, të cilëve iu imponua të jetojnë me një çek rroge javore.

“Unë nuk vij nga një familje që shpenzon miliona dollarë për të ndërtuar rrokaqiej luksozë, sikurse Trumpi”, shtoi Sandersi.

Rivali i Hillary Clintonit për kandidaturën e Partisë Demokratike në presidencialet e 2016-s u shpreh i bindur se do të fitojë kandidaturën e demokratëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe se do të mposhtë Donald Trumpin, të cilin e cilësoi si “presidenti më i rrezikshëm i historisë së SHBA-së”.

I vetëquajtur “socialdemokrat”, 77-vjeçari Sanders, fushata e të cilit në vitin 2016 i dha një formë të re politikave të demokratëve amerikanë, njihet me qëndrimin e tij kritik ndaj rendit politik aktual në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bernie Sanders premton heqjen e tarifave të shkollave të larta, zhvillimin e sistemit universal shëndetësor, dyfishimin e rrogës minimale, një reformë emigracioni gjithëpërfshirëse që do të mundësojë qëndrimin e emigrantëve ilegalë në SHBA, si dhe politika mjedisore më të ndjeshme.



Lajme të ngjashme