Pakistani i rrëzon Indisë dy avionë luftarakë

Ushtria e Pakistanit tha të mërkurën se forcat ajrore të vendit kishin goditur dhe rrëzuar dy avionë luftarakë indianë që kishin hyrë në hapësirën ajrore pakistaneze.

Pakistani i rrëzon Indisë dy avionë luftarakë

Zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Pakistanit, gjeneralbrigade Asif Ghafoor përmes një deklarate që ka bërë në llogarinë e tij në Twitter ka njoftuar se forcat ajrore pakistaneze kishin parandaluar avionët luftarakë indianë, që kishin hyrë në hapësirën ajrore pakistaneze; kishin goditur dy prej këtyre avionëve, nga të cilët njëri ishte rrëzuar në zonën e kontrolluar nga Pakistani, ndërsa tjetri në zonën e kontrolluar nga India.

Më vonë, duke folur me gazetarët, Ghafoor tha se një pilot i avionit që kishte rënë në anën pakistaneze ishte kapur i gjallë nga ushtria e Pakistanit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me takimin e sotëm të Autoritetit të Komandës Kombëtare (NCA) dhe përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore, Ghafoor hodhi poshtë opsionin, duke thënë: "Gjithmonë kam thënë që nuk duhet të flasim për këtë, është çmenduri të flasim për këtë".

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Muhammed Faysal në deklaratën që ka bërë përmes llogarisë zyrtare në Twitter ka theksuar operacioni i Forcave Ajrore të Pakistanit mbi Vijën e Kontrollit në Kashmir është kryer për qëllime mbrojtëse.

“I gjithë qëllimi ynë është të demonstrojmë vendosmërinë dhe aftësitë tona për të mbrojtur veten. Ne nuk duam përshkallëzim të tensionit, por ne jemi të gatshëm edhe për një situatë të tillë”, shkruan Faysal në postimin e tij.

Ndërkaq më herët ishte raportuar se 3 avionë luftarakë të Forcave Ajrore të Pakistanit në mëngjes kishin kapërcyer Vijën e Kontrollit Kufitar në Kashmir dhe kishin hyrë në zonën Jammu të Kashmirit, e cila kontrollohet nga India dhe këtu ishin parandaluar nga avionët indianë.

Media indiane kishte njoftuar rrëzimin e një avion luftarak pakistanez.

Nga ana tjetër Pakistani me Indinë, pas rrëzimit reciprokisht të avionëve luftarakë, kanë mbyllur aeroportet dhe pezulluar fluturimet civile në shumë qytete.



Lajme të ngjashme