Siri – Regjimi i Esadit vazhdon të bombardojë Zonën e Çtensionimit në Idlib

Në sulmet e fundit me artileri ndaj vendbanimeve civile brenda zonës në fjalë, janë plagosur 3 civilë.

Siri – Regjimi i Esadit vazhdon të bombardojë Zonën e Çtensionimit në Idlib

Duke filluar nga orët e mëngjesit të sotëm forcat e regjimit të Beshar Esadit dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani, ndërmorën mbi 100 sulme me artileri ndaj “Zonës së Çtensionimit në Idlib” me ç’rast plagosën 3 civilë.

Forcat e regjimit bënë shkeljen e Marrëveshjes së Soçit dhe ndërmorën sulme me artileri ndaj nënprefekturës Han Shejhun, vendbanimeve Xherxhenaz dhe Tuh dhe fshatrave Ferxhe dhe Temanije që ndodhen brenda kufijve të “Zonës së Çtensionimit në Idlib” si dhe ndaj nënprefekturave Latamine dhe Kefer Zita në zonën rurale në veri të qytetit Hama.

Në më shumë se 30 sulme me topa dhe raketa të ndërmarra nga ana e regjimit ndaj nënprefekturës Han Shejhun janë plagosur 3 civilë.

Ekipet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) vazhdojnë me punime të kërkim-shpëtimit dhe të heqjes së rrënojave në vendbanimet e goditura.

Ndërkaq drejtori i Mbrojtjes Civile në Idlib, Mustafa Haxh Jusuf ka thënë se “Regjimi i Esadit ndërmerr sulme barbare ndaj zonave në fjalë. Në sulmet e fundit janë plagosur 3 persona. Sulmet po vazhdojnë ende”.

Në sulmet ajrore dhe tokësore, që regjimi i Esadit po ndërmerr prej fillimit të vitit e këtej ndaj “Zonës së Çtensionimit në Idlib”, kanë humbur jetën 45 civilë dhe janë plagosur mbi 200 të tjerë.

Krahas marrëveshjes së arritur në Soçi mes Turqisë dhe Rusisë me qëllim të përforcimit të armëpushimit në Idlib, sulmet e forcave të regjimit nuk ndaluan.  

Ndërkaq në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar më 17 shtator 2018 opozitarët ushtarak më 10 tetor 2018 tërhoqën armatimin e rëndë nga zona në fjalë.

 


Lajme të ngjashme