Iran – Salehi: Mashtruam bashkëbiseduesit për betonimin e reaktorit bërthamor në Arak

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit (AEOI), Ali Akbar Salehi, deklaroi të enjten se vendi i tij ka “mashtruar” bashkëbiseduesit për betonimin e reaktorit në Arak, një kusht i marrëveshjes bërthamore me shtetet anëtare të grupit P5+1.

Iran – Salehi: Mashtruam bashkëbiseduesit për betonimin e reaktorit bërthamor në Arak

Gjatë një prononcimi për televizionin shtetëror iranian, Salehi bëri me dije se nuk kanë betonuar tubat e karburantit të reaktorit të ujit të rëndë në Arak, por tuba të ngjashëm me ata në fjalë, të cilët i kanë siguruar më parë.

“Ne s’derdhëm beton në enën e reaktorit të impiantit në Arak. Nëse do ta kishim betonuar, atëherë reaktori do të dilte jashtë përdorimit. Ka disa gypa presioni, brenda të cilave kalon karburanti. Ne betonuam vetëm ato. Madje edhe ato tuba i patëm siguruar më herët. Pra, tubat e botuar nuk ishin ata që përdoreshin në reaktor, por të ngjashmit e tyre. Këtë gjë s’mund ta thosha asokohe”, u shpreh ai duke theksuar se direktiva për të vepruar në këtë mënyrë i pati ardhur direk nga lideri suprem i vendit, Ali Khamenei.

“Këtë e dinte vetëm personi në postin më të lartë të shtetit (Ali Khamenei). Khamenei na paralajmëroi duke thënë: ‘Kujdes, këta nuk e mbajnë fjalën.’ Dhe ne bëmë një punë të zgjuar. Betonuam gypa presioni të karburantit me diametër prej 2-3 cm dhe gjatësi 3-4 m (të siguruar nga ne më parë). Po ta dinin se nuk betonuam tubat e tjerë, bashkëbiseduesit tanë në negociata do të na kërkonin që të betononim edhe ata”, shtoi kreu i agjencisë iraniane të energjisë atomike.

Sipas tij, imazhet e betonimit të enës së reaktorit, të cilat u publikuan në median sociale, janë fotomontazh.

Bisedimet ndërmjet Iranit dhe grupit P5+1 (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Kinë, Rusi dhe Gjermani) filluan në prill 2015 dhe përfunduan me marrëveshje në korrik 2015.

Shtetet përballë Iranit kërkonin shkatërrimin e impiantit në Arak me justifikimin se karburanti nuklear që përdorej në reaktorin e ujit të rëndë, kishte përmbajtje plutoniumi që shërben për të prodhuar armë bërthamore.

Me akordin nuklear të korrikut 2015, Teherani pranoi riprojektimin e impiantit të Arakut në mënyrë të atillë që të mos prodhojë dot plutonium të pasuruar deri në nivelin e prodhimit të bombës atomike.



Lajme të ngjashme