Bagdadi përgënjeshtron lajmet për bazat e reja ushtarake amerikane

Kryeministri i Irakut, Abdi Abdulmehdi përgënjeshtroi pretendimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të ndërtojnë baza të reja në vendin e tij për ushtarët që do të tërhiqen nga Siria.

1122123
Bagdadi përgënjeshtron lajmet për bazat e reja ushtarake amerikane

Në konferencën javore me gazetarët në kryeqytetin e vendit, Bagdad, Abdulmehdi foli edhe për lajmet që kanë qarkulluar javët e fundit, sikur ushtarët amerikanë që do të tërhiqen nga Siria do të vendosen në Irak dhe për këtë administrata e Uashingtonit do të ndërtojë baza të reja.

“Unë nuk kam marrë ndonjë informacion që ShBA-ja do të ndërtojë baza të reja ushtarake në Irak”,- deklaroi Kryeministri Abdulmehdi.

“Në kundërshtim me pretendimet e hedhura, numri i ushtarëve të huaj në vendin tonë, përfshi këtu edhe amerikanët, vazhdon të pakësohet”, shtoi ai.

Kryeministri i Irakut u tha gazetarëve se vazhdojnë punimet për plotësimin e tre vendeve bosh në kabinetin që ka krijuar tetorin e kaluar.

“Para se t’ia paraqes Kuvendit për miratim, listën e kandidatëve për ministër ua kam dërguar partive politike, për të arritur konsensusin mbi emrat e tyre”,- sqaroi Abdulmehdi.

Në qeverinë e Irakut me 22 ministra gjithsej, deri tani e kanë filluar punën 19 ministra. Kurse Ministritë e Punëve të Brendshme, Mbrojtjes dhe Drejtësisë kanë mbetur pa titullarë për shkak se nuk është arritur marrëveshja mes forcave politike mbi emrat që do të drejtojnë këto dikastere.

 


Lajme të ngjashme