NATO shprehet në lidhje me tërheqjen e Amerikës nga Siria

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, një ditë më parë, bisedoi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

NATO shprehet në lidhje me tërheqjen e Amerikës nga Siria

NATO deklaroi se ka marrë në konsideratë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga Siria dhe për të vazhduar bashkëpunimin me aleatët në mënyrë që DAESH-i të mos gjejë terren, financim dhe mbështetje.

Një zyrtar nga NATO bëri të ditur se aleanca nuk është prezent në Siri, por në luftën kundër DAESH-it, kontribuon me avionët paralajmërues dhe vëzhgues (AWACS) dhe misionin e trajnimit në Irak.

“Ne morëm në konsideratë vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Siria dhe vazhdimin e bashkëpunimit me aleatët në mënyrë që DAESH-i të mos gjejë terren, financim dhe mbështetje. Ne jemi të kënaqur me angazhimin e Amerikës në Koalicionin Ndërkombëtar kundër organizatës terroriste DAESH” tha zyrtari i NATO-s.

Ai nënvizoi se pengimi i “rikthimit” të DAESH-it është një domosdoshmëri dhe shtoi se aleatët janë në konsultim të vazhdueshëm për luftën kundër organizatës terroriste.

Zyrtari në fjalë informoi gjithashtu se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, një ditë më parë, bisedoi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në deklaratën e bërë një ditë më parë nga llogaria e tij në rrjetin social Twitter, përdori shprehjen: “Ne kemi mposhtur DAESH-in në Siri, arsyeja ime e vetme për të qenë atje gjatë presidencës time”.

Edhe Sarah Sanders, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, në deklaratën e saj tha: “Së bashku me kalimin në një fazë të re të luftës kundër DAESH-it, filluam të tërheqim trupat amerikane në vendin tonë”.

Media amerikane pretendoi se brenda 24 orëve do të tërhiqet i gjithë personeli i departamentit amerikan të shtetit nga Siria ndërsa ushtarët amerikanë, që ndodhen në Siri do të tërhiqen nga ky vend brenda 60 deri në 100 ditë.

 


Lajme të ngjashme