Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton zyrtarisht Paktin Global për Emigracionin

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi zyrtarisht të mërkurën Paktin Global për Emigracionin, një marrëveshje që synon të trajtojë çështjen e emigracionit në nivel botëror, të nxisë bashkëpunimin dhe të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore...

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton zyrtarisht Paktin Global për Emigracionin

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi zyrtarisht të mërkurën Paktin Global për Emigracionin, një marrëveshje që synon të trajtojë çështjen e emigracionit në nivel botëror, të nxisë bashkëpunimin dhe të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore.

Kjo është marrëveshja ndërkombëtare e parë për emigracionin që miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku përfaqësohen 193 shtete të botës.

Nënshkruar nga 165 vende gjatë konferencës së 10 dhjetorit në qytetin Marakesh të Marokut, ky pakt u miratua të mërkurën edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Teksa 152 shtete votuan në favor të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Çekia, Polonia dhe Izraeli votuan kundër, ndërsa 12 shtete abstenuan.

Që nga muaji korrik, marrëveshja që trajton çështje të tilla si mbrojtja e emigrantëve, integrimi i tyre dhe dërgimi i tyre në shtëpi, është kritikuar kryesisht nga politikanët e krahut të djathtë dhe sidomos ata evropianë, që thonë se kjo mund të rrisë emigracionin nga vendet afrikane dhe arabe.

Vendet kundërshtare pretendojnë se marrëveshja në fjalë nuk respekton të drejtat sovrane të tyre.

Me të njëjtin justifikim, SHBA-ja nuk mbështeti as Paktin Global për Emigracionin dhe as Marrëveshjen Globale për Refugjatët.

Edhe pse nuk ka aspak forcë detyruese në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, Pakti Global për Emigracionin ka cilësinë e marrëveshjes së parë të arritur në shkallë ndërkombëtare për çështjen e emigracionit.

Sipas OKB-së, mbi 250 milionë refugjatë jetojnë anembanë globit dhe këta njerëz përbëjnë 3 për qind të popullsisë së përgjithshme botërore.

Të 23 pikat formuese të Paktit Global për Emigracionin parashikojnë që t’i japin emigracionit një trajtë ligjore, të sigurt dhe të organizuar duke marrë në konsideratë gjithashtu të drejtat sovrane të vendeve përmes bashkëpunimit ndërshtetëror.

Me këtë marrëveshje, e cila thekson se asnjë vend i botës nuk mund të përballojë vetëm luftën kundër emigracionit global, synohet rregullimi i të drejtave të emigrantëve, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe grave emigrante, si dhe lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore.



Lajme të ngjashme