Shtëpia e Bardhë: Trupat tona në Siri filluan të kthehen në SHBA

Shtëpia e Bardhë njoftoi mesditën e së mërkurës se kanë filluar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria...

Shtëpia e Bardhë: Trupat tona në Siri filluan të kthehen në SHBA

Një deklaratë e re ka ardhur të mërkurën nga Uashingtoni në lidhje me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Siria.

“Teksa në proces është kalimi në një fazë të re në luftën kundër (organizatës terroriste) DAESH, SHBA-ja ka filluar tërheqjen e trupave (nga Siria)”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Vetëm pak orë më parë, Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi përmes rrjetit social “Twitter” se vendi i tij ka mposhtur DAESH-in dhe kjo ka qenë arsyeja e vetme e pranisë së forcave amerikane në Siri.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila erdhi pothuajse menjëherë pas këtij zhvillimi, spikat theksi mbi “fillimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria”.

Sipas zëdhënëses Sanders, personeli i Departamentit amerikan të Shtetit me mision në Siri do të largohet nga ky vend brenda 24 orëve, ndërsa afati i tërheqjes së kuadrove ushtarake do të jetë 2-3 muaj.

Njësia e parë ushtarake e SHBA-së në Siri, vend nën kthetrat e luftës civile që prej vitit 2011 e këtej, është dislokuar zyrtarisht më 2015-n.

Ky vendim i Uashingtonit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria vjen pasi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi javën e kaluar se një operacion ushtarak turk do të fillojë brenda një kohe të shkurtër në verilindje të Sirisë kundër organizatës separatiste terroriste YPG/PKK, e cila është mbështetur nga SHBA-ja me justifikimin e luftës kundër DAESH-it.



Lajme të ngjashme