Jeffrey pohon: Grupet partnere të SHBA-së në Siri kontrollohen nga YPG/PKK-ja terroriste

Ambasadori James Jeffrey, përfaqësues special i Departamentit amerikan të Shtetit për Sirinë, pohoi të hënën se grupet partnere të vendit të tij në Siri janë nën kontrollin e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK...

Jeffrey pohon: Grupet partnere të SHBA-së në Siri kontrollohen nga YPG/PKK-ja terroriste

Ambasadori James Jeffrey, përfaqësues special i Departamentit amerikan të Shtetit për Sirinë, pohoi të hënën se grupet partnere të vendit të tij në Siri janë nën kontrollin e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK.

“Shumica dërrmuese e grupeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Siri kontrollohen nga PYD/YPG-ja, e cila ka lidhje me PKK-në. Kjo situatë përbën shqetësim për Turqinë. Ne i kuptojmë shqetësimet e Turqisë dhe mbetemi të angazhuar për sigurinë e saj”, deklaroi Jeffrey gjatë një fjalimi në Këshillin Atlantik, një qendër kërkimore në Uashington.

I dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë theksoi gjithashtu se mbështetja e Uashingtonit për grupet e armatosura në veri të Sirisë është e përkohshme.

“Marrëdhënia e SHBA-së me këto grupe është taktike dhe kalimtare. Ne s’kemi marrëdhënie të përhershme me subjekte nënshtetërore”, tha ai duke shtuar se vendi i tij i mbështet grupet në fjalë me qëllimin specifik për të luftuar kundër DAESH-it.

Pasi bëri me dije se dy javë më parë ka realizuar kontakte për 3 ditë me radhë në Turqi, Jeffrey tërhoqi vëmendjen se autoritetet amerikan dhe homologët e tyre turq diskutojnë vazhdimisht në çdo nivel, përfshi këtu edhe bisedën telefonike të së premtes ndërmjet presidentëve Donald Trump dhe Recep Tayyip Erdogan, për operacionin e mundshëm turk në veri të Sirisë.

“Ne duam të bashkëpunojmë në të ardhmen me turqit dhe me njerëzit në terren. Kemi interesa të përbashkëta në shumicën e vendeve. Jemi maksimalisht të angazhuar për sigurinë e Turqisë, por njëherësh jemi të angazhuar edhe për t’i dhënë fund DAESH-it”, u shpreh përfaqësuesi special i Departamentit amerikan të Shtetit për Sirinë.

Duke vazhduar pohimet e tij në lidhje me YPG/PKK-në, James Jeffrey u prononcua gjithashtu në mënyrë skandaloze se “po përpiqen të sigurojnë pjesëmarrjen e organizatës terroriste në strukturën shoqërore siriane”.

I pyetur rreth informacioneve se gati 100 peshmergë të Irakut kanë shkuar të hënën në Siri, zyrtari amerikan u përgjigj duke thënë se peshmergët e kanë kaluar kufirin me dijeni të Uashingtonit dhe YPG/PKK-së.

Në fund, Jeffrey e solli fjalën te situata në të cilën gjendet Iraku sot, ndërsa pohoi se SHBA-ja nuk ka as idenë më të vogël se si mund të rivendoset stabiliteti në rajon.



Lajme të ngjashme