Qipro – Lideri turk takohet me të dërguarën e OKB-së

Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akënxhë (Akıncı) priti në takim të dërguarën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Qipron, Jane Holle Lute.

Qipro – Lideri turk takohet me të dërguarën e OKB-së

Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akënxhë (Akıncı) priti në takim Jane Holle Lute, të cilën Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, e ka caktuar përkohësisht si këshilltaren e posaçme të tij për problemin qipriot.

Takimi u zhvillua në Pallatin Presidencial dhe në këtë takim ishin të pranishëm edhe zëdhënësi i Presidencës, Barësh Burxhu (Barış Burcu) dhe këshilltari i Presidencës për Bashkimin Evropian (BE), Erhan Erçin.

Zëdhënësi Burxhu në një deklaratë që bëri pas takimit tha se takimi Akënxhë-Lute kishte qenë i detajuar dhe i dobishëm.

Kuptohet që punimet mbi konceptet referuese do të vazhdojnë edhe për një kohë në kuadër të negociatave të Qipros, tha Burxhu, duke bërë të ditur se Akënxhë edhe Lute do të takohen edhe një herë nesër.

Përfaqësuesja e OKB-së, Lute, e cila ka shkuar në ishull për t’u takuar me palët për të parë nëse është krijuar apo jo mjedisi i duhur për vazhdimin e bisedimeve, të dielën ishte takuar me liderin e pjesës greke të Qipros, Nikos Anastasiades.

Negociatat e Qipros rifilluan në maj të vitit 2015 pas ardhjes në detyrë të Presidentit Akënxhë dhe me ndërmjetësimin e ish-të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Qipro, Espen Barth Eide. Nga Konferenca e Qipros që u mbajt korrikun e vitit të kaluar në qytezën Crans-Montana të Zvicrës nuk kishte dalë ndonjë rezultat mbi të ardhmen e përbashkët të ishullit.



Lajme të ngjashme