OBI dënon vendimin e Australisë për Jerusalemin: Veprim i paligjshëm

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI/OIC) e ka quajtur vendimin e Australisë për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit një “veprim të paligjshëm” që dhunon rezolutat e OKB-së për statusin e qytetit...

OBI dënon vendimin e Australisë për Jerusalemin: Veprim i paligjshëm

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI/OIC) e ka quajtur vendimin e Australisë për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit një “veprim të paligjshëm” që dhunon rezolutat e OKB-së për statusin e qytetit.

Përmes një komunikate me shkrim të dielën, OBI theksoi se Jerusalemi është një pjesë integrale e territoreve palestineze të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967, duke hedhur poshtë të gjitha përpjekjet që do të paragjykonin mbi statusin ligjor të qytetit të shenjtë apo hidhnin dyshime mbi të.

OBI i bëri thirrje Australisë që të respektojë rezolutat ndërkombëtare dhe të rishikojë vendimin e saj.

Këshilli Kombëtar Palestinez (KKP/PNC) gjithashtu e dënoi vendimin përmes një deklarate të shkruar, duke e quajtur atë një lëvizje “të pavlefshme” që shkel rezolutat ndërkombëtare.

Pasi thekson se ky vendim është një “sulm ndaj popullit palestinez që jeton në Jerusalem”, KKP-ja i bëri thirrje Australisë që të njohë një shtet të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin, bazuar në kufijtë e vitit 1967.

Të shtunën, Kryeministri australian, Scott Morrison, njoftoi vendimin e vendit të tij për të njohur zyrtarisht Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.

Megjithatë – shtoi Morrison – Australia nuk do ta transferojë ambasadën e saj derisa të vendoset paqja ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Tensioni është përshkallëzuar ndjeshëm në territoret e pushtuara palestineze që nga viti i kaluar, kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e njohu në mënyrë të njëanshme Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Jerusalemi mbetet prej dekadash të tëra në zemër të konfliktit në Lindjen e Mesme, ku palestinezët shpresojnë që Jerusalemi Lindor, pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, një ditë mund të shërbejë si kryeqytet i shtetit të pavarur të Palestinës.



Lajme të ngjashme