Senati amerikan dënon princin trashëgimtar saudit për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës votuan të enjten një rezolutë me të cilën dënuan vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, ndërkohë që fajtor për vrasjen e tij shpallën princin trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman...

Senati amerikan dënon princin trashëgimtar saudit për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Senatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës votuan të enjten një rezolutë me të cilën dënuan vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, ndërkohë që fajtor për vrasjen e tij shpallën princin trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman.

Rezoluta u prezantua nga kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, Bob Corker dhe u miratua përmes votimit zanor.

Kjo ishte rezoluta e dytë që u miratua të enjten, pasi senatorët votuan më herët për t’i dhënë fund mbështetjes ushtarake të SHBA-së për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen.

Rezoluta dënon vrasjen e gazetarit Khashoggi dhe u kërkon autoriteteve saudite të ndjekin penalisht personat përgjegjës të krimit.

Votimi i senatorëve amerikanë shihet si një qortim për Presidentin Donald Trump, i cili po kërkon mënyra për të minimizuar pasojat e vrasjes së Khashoggit mbi marrëdhëniet Uashington-Riad duke këmbëngulur se bin Salmani nuk kishte asnjë rol në vrasjen e gazetarit.

Rezoluta e senatorit Corker paraqet një qasje kritike ndaj qëndrimit të Trumpit, që ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngrohta me udhëheqësin "de-facto" të Mbretërisë së Arabisë Saudite, pavarësisht njoftimeve të CIA-s mbi rolin e trashëgimtarit të kurorës saudite në krimin e 2 tetorit në Stamboll.

Kujtojmë se Arabia Saudite fillimisht mohoi çdolloj roli në zhdukjen e Jamal Khashoggit, kur ai u vra pasi hyri më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, megjithatë, pas shumë deklaratave kontradiktore, Riadi pranoi se gazetari është vrarë brenda objektit diplomatik.

Mes të tjerash, rezoluta i bën thirrjes Riadit zyrtar që të lirojë aktivistët e të drejtave të njeriut, Rawaf dhe Samar Badawi, të cilët mbahen në arrest me burg në Arabinë Saudite; si dhe nënvizon që blerja e armëve nga Kina e Rusia vështirëson marrëdhëniet me SHBA-në.



Lajme të ngjashme