Siri – Sulme terroriste të njëpasnjëshme në zonën e operacionit turk “Mburoja e Eufratit”

Dy civilë kanë humbur jetën në sulmet terroriste të njëpasnjëshme me bomba në Bab dhe Çobanbey, qyteza në zonën e operacionit antiterrorist turk “Mburoja e Eufratit”, në veri të Sirisë...

1106108
Siri – Sulme terroriste të njëpasnjëshme në zonën e operacionit turk “Mburoja e Eufratit”

Dy civilë kanë humbur jetën në sulmet terroriste të njëpasnjëshme me bomba në Bab dhe Çobanbey, qyteza në zonën e operacionit antiterrorist turk “Mburoja e Eufratit”, në veri të Sirisë.

Burimet lokale bëjnë të ditur se sulmi i parë u organizua me një autobombë në afërsi të godinës së PTT-së, në qendër të Çobanbeyit, në kufi me Turqinë.

Si pasojë e këtij sulmi mbetën të plagosur 20 civilë.

Menjëherë pas shpërthimit në Çobanbey, një tjetër autobombë plasi këtë herë edhe në qendër të Babit, rreth 20 km nga kufiri i Turqisë, në një zonë shumë të rrahur nga civilët dhe të njohur si Xhamia e Madhe (Al-Masjid al-Kabir).

Sipas një bilanci paraprak, në këtë sulm kanë gjetur vdekjen 2 civilë, janë plagosur 10 të tjerë, si dhe janë dëmtuar shumë makina e ndërtesa përreth.

Ekipet e Mbrojtjes Civile (Beretat e Bardha) kanë mbërritur urgjentisht në vendngjarje dhe kanë nisur aktivitetet e kërkim-shpëtimit.

Forcat e rendit kanë rritur masat e sigurisë, ndërkohë që të plagosurit janë dërguar për kurim në spital.

Autoritet zyrtare gjithashtu kanë nisur hetimet dhe sipas tyre, sulmi ka shumë gjasa të jetë kryer nga organizata terroriste YPG/PKK.

Bie në sy fakti që këto dy sulme të njëpasnjëshme janë kryer vetëm një ditë pasi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sinjalizoi një operacion në lindje të Eufratit.

“Ne do të fillojmë brenda disa ditësh operacionin për të shpëtuar lindjen e Eufratit nga organizata separatiste terroriste”, deklaroi kreu i shtetit turk të mërkurën, gjatë Samitit të Industrisë Turke të Mbrojtjes.



Lajme të ngjashme