ShBA paralajmëron Rusinë për 'shkeljen' e Traktatit Bërthamor

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Rusisë i kanë njohur 60 ditë kohë për të përmbushur detyrimet që lindin nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).

ShBA paralajmëron Rusinë për 'shkeljen' e Traktatit Bërthamor

“Për ShBA-në nuk ka më kuptim të qëndrojë në traktat”, shtoi ai.

Në një dalje para gazetarëve pas sesioneve të ditës së parë të Takimit të Ministrave të Punëve të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Pompeo tha se Rusia nuk po i përmbush detyrimet që rrjedhin nga Traktati (INF), duke shtuar se kemi të bëjmë me një çështje ndaj të cilës duhet reaguar.

“Megjithëse Rusia e ka shkelur traktatin, ne kemi qenë të durueshëm sa ka qenë e mundur dhe jemi përpjekur për ta bindur që të përmbushë përgjegjësitë”, u shpreh Pompeo.

Moska ka zhvilluar një numër të madh raketash me rreze të mesme veprimi të llojit “SSC-8” dhe e ka shkelur traktatin (INF) në “mënyrë thelbësore”, tha Pompeo dhe bëri këtë koment: “Rusia mashtron për sa i takon përgjegjësisë që ka në kontrollin e armëve dhe rrezja e veprimit të raketave të reja të saj është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Evropës”.

“Hapat e ndërmarrë nga Rusia rrezikojnë seriozisht sigurinë e ShBA-së dhe të aleatëve të saj. Si rrjedhojë e shkeljeve të Rusisë nuk ka më kuptim për ShBA-në që të qëndrojë në traktat”, nënvizoi Pompeo, i cili e paralajmëroi Rusisë se ka 60 ditë në dispozicion për të respektuar traktatin (INF), duke shtuar se të gjithë aleatët e NATO-s janë të një mendimi për sa i takon kësaj çështjeje".

Brenda këtyre 60 ditëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në përputhje me traktatin nuk do të prodhojnë, testojnë dhe instalojnë asnjë sistem raketor, sqaroi më tej Pompeo, duke shtuar se afati i rregullt 6-mujor i paralajmërimit për të dalë nga traktati do të fillojë pas 60 ditëve.

Pompeo e akuzoi Moskën për “veprime të paligjshme”, ndërsa tha se ekzistenca e sistemit raketor, që është prodhuar nga Rusia duke shkelur traktatin”, nuk është pranuar nga Moska deri në nëntor të 2017-s.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo nënvizoi se ShBA-ja nuk do të mbështesë ndonjë marrëveshje e traktat ndërkombëtar që nënvlerëson sigurinë e saj.

“Nëse Rusia ndryshon mendje dhe e shkatërron sistemin e saj të raketave, një gjë e tillë do të ishte e mirëpritur nga ana jonë. Ata e kanë shansin për ta bërë këtë brenda 60 ditëve”, u tha Pompeo gazetarëve në Bruksel.

“Në traktat ka dy palë, por vetëm njëra e respekton marrëveshjen dhe në këtë rast kjo nuk mund të quhet marrëveshje”,- vazhdoi Pompeo dhe e paralajmëroi Rusinë se aleatët dhe ShBA-ja nuk do të toleronin më politikat “e paligjshme” të Moskës.

Vërejtjet e Pompeo erdhën pasi NATO i bëri thirrje Rusisë të kthehet në pajtueshmëri të plotë me Traktatin.

Në një deklaratë të saj Aleanca tha: "Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të kthehet urgjentisht në pajtueshmëri të plotë dhe të verifikueshme. Tani është në dorën e Rusisë për të shpëtuar Traktatin e INF-it ".

"Aleatët kanë arritur në përfundimin se Rusia ka zhvilluar dhe vendosur një sistem raketash, që shkel Traktatin e INF-së dhe paraqet rreziqe të rëndësishme për sigurinë euroatlantike", thuhet në këtë deklaratë të Aleancës (NATO).

Presidenti amerikan Donald Trump në deklaratën e muajit të kaluar kishte njoftuar vendimin për tërheqje nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).

Këtë vendim të tij Trump e kishte argumentuar duke thënë se për vite të tëra Rusia prodhon dhe disponon armë të ndaluara, dhe kështu ajo ka vazhduar ta shkelë edhe materialisht Traktatin.

Këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Michael Bolton kishte shkuar në Moskë dhe ia kishte komunikuar vetë Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin vendimin e ShBA-së për të dalë nga Traktati.

Traktati i kontrollit të armëve bërthamore është nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti atëhershëm amerikan, Ronald Reagan dhe Kryetari i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov. Traktati ua ndalonte të dyja palëve që të prodhonin dhe vendosnin raketa me rreze të mesme veprimi, të cilat mund të mbanin mbushje bërthamore.

Traktati vazhdoi të mbetet në fuqi edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Me firmosjen e marrëveshjes në fjalë të dyja palët u detyruan të heqin nga përdorimi rreth 2 mijë e 500 raketa me rreze veprimi që ndryshonte nga 500 deri në 5 mijë kilometër.

 


Lajme të ngjashme