Francë - Qeveria bën hap prapa para kërkesës së "Jelekëve të verdhë"

Kuvendi Kombëtar dhe Senati i Francës do të diskutojnë në lidhje me protestat e “Jelekëve të verdhë” që po organizohen për të ulur taksat e karburanteve dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.

1099934
Francë - Qeveria bën hap prapa para kërkesës së "Jelekëve të verdhë"

Kuvendi Kombëtar dhe Senati i Francës do të diskutojnë në lidhje me protestat e “Jelekëve të verdhë” që po organizohen për të ulur taksat e karburanteve dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.

Sipas një komunikate me shkrim të bërë nga Kryeministria, nesër në Kuvendin Kombëtar dhe të enjten në Senat do të mbahen seancat në lidhje me protesta.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se Kryeministri, Edouard Philippe do të presë në takim një delegacion të “Jelekëve të verdhë”.

Ndërkohë ministri i Ekonomisë së Francës, Bruno Le Maire ka thënë që për t’iu përgjigjur kërkesave të “Jelekëve të verdhë” është e nevojshme të ulen në mënyrë të shpejtë taksat dhe shpenzimet publike.

Ministri Le Maire gjatë konferencës për shtyp të organizuar në Ministri bëri deklarata të rëndësishme në lidhje me masat që do të mund të merren pas protestave të “Jelekëve të verdhë”, të cilët kërkojnë uljen e taksave të karburanteve dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.

Le Maire vuri në dukje nevojën për ulje të shpejtë të taksave dhe shpenzimeve publike, ndërsa theksoi vendosmërinë për të avancuar në këtë drejtim.

Ministri francez i Ekonomisë gjithashtu bëri të ditur se ndikimi i protestave të “Jelekëve të verdhë” në ekonominë e vendit është i “fuqishëm” dhe tha se sektorët e ndryshëm janë dëmtuar nga kjo situatë.

Ai tërhoqi vëmendjen se humbjet e kompanive të transportit dhe atyre të logjistikës për shkak të protestave kapin shifrën e afërsisht 400 milionë eurove, ndërsa shtoi se rezervimet e hoteleve kanë rënë 15-20 për qind.

Ministri tërhoqi vëmendjen gjithashtu se për shkak të protestave xhirot e restoranteve gjatë 15 ditëve të fundit janë ulur 20-50 për qind dhe tha se është vërejtur ulje edhe në shitjet e makinave të kompanive Renault dhe Peugeot.

Në anën tjetër Kryeministri Philippe me direktiva të Presidentit Emmanuel Macron është duke zhvilluar bisedime me liderët e opozitës në mesin e të cilëve edhe liderja e Partisë së ekstremit të djathtë të Fronti Kombëtar, Marine Le Pen dhe lideri i Lëvizjes së ekstremit të majtë Franca e Panënshtrueshme (La France Insoumis), Jean-Luc Melenchon.

Partitë opozitare akuzuan qeverinë për përpjekje për të dëmtuar legjitimitetin e “Jelekëve të verdhë” duke lejuar dhunën në protesta.

Aktivistët e organizuar nën emrin “Jelekët e verdhë” prej 17 nëntorit e këtej protestojnë nëpër rrugë në mbarë vendin kundër taksave shtesë që qeveria vendosi ndaj karburanteve.

Në ngjarjet e jetuara gjatë protestave që filluan më 17 nëntor deri më sot kanë humbur jetën 2 vetë, ndërsa janë plagosur 1 mijë e 43 të tjerë në mesin e të cilëve 222 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Mësohet se gjatë trazirave të jetuara janë ndaluar 1 mijë e 424 persona.

 


Lajme të ngjashme