ShBA-ja do të vendosë pika të vrojtimit në kufirin verilindor të Sirisë

Koloneli Sean Ryan, zëdhënësi i koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër DAESH-it deklaroi se qëllimi i vendosjes së pikave të vrojtimit është ndalimi i infiltrimit të militantëve të DAESH-it në Turqi.

ShBA-ja do të vendosë pika të vrojtimit në kufirin verilindor të Sirisë

Trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vendosin pikat e vrojtimit në pjesën verilindore të Sirisë.

Koloneli Sean Ryan, zëdhënësi i koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër DAESH-it të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi se qëllimi i vendosjes së këtyre pikave të vrojtimit në kufirin e Sirisë është ndalimi i infiltrimit të militantëve të DAESH-it nga Siria në Turqi.

Gjatë lidhjes me telekonferencë me Departamentin amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) koloneli Ryan i bëri një vlerësim operacioneve në vazhdim kundër organizatës terroriste DAESH në Irak dhe Siri.

Ryan tha se patrullimet e përbashkëta të Turqisë dhe ShBA-së të zhvilluara në Menbixh kanë parandaluar infiltrimin e organizatave terroriste dhe kanë kontribuar në përmirësimin e gjendjes në këtë zonë.

Duke rikujtuar se ShBA-ja do të vendosë pikat e vrojtimit në kufirin verilindor të Sirisë koloneli tha: “Shtetet e Bashkuara janë duke vendosur pikat e vrojtimit nga zona e luginës së Eufratit qendror në drejtim të veriut për ti mbyllur rrugët e arratisjes së militantëve të DAESH-it në drejtim të Turqisë. Këto pika të vrojtimit në të njëjtën kohë do të ofrojnë më shumë transparencë dhe do të mundësojë mbrojtjen më të mirë të Turqisë nga elementët e DAESH-it”.

 

Në përgjigje të pyetjes se sa pika të vrojtimit do të vendosen përgjatë zonës kufitare, zëdhënësi Ryan tha se aktualisht kanë përcaktuar vetëm disa pika dhe se ende nuk kanë vendosur ndonjë pikë të vrojtimit.

Ndërkaq pasi u rikujtua për reagimin e ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, koloneli Ryan u pyet se “A synojnë apo jo këto pika të vrojtimit mbrojtjen e YPG-së?”

Në përgjigjen e tij ai tha se “Ato kanë të bëjnë me sigurinë e zonës verilindore të Sirisë dhe shqetësimet e Turqisë do të merren parasysh. Prandaj kjo është e rëndësishme. Ata janë edhe partnerë të NATO-së edhe të koalicionit”.

Ndërkaq koloneli Ryan në përgjigje të pyetjes se a kanë marrë miratimin e Turqisë për këtë çështje ka thënë se “Turqia është e informuar plotësisht në lidhje me këtë”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis javën e kaluar deklaroi se ShBA-ja do të vendosë pikat e vrojtimit në kufirin verilindor të Sirisë dhe pretendoi se ato do të vendosen për të informuar Turqinë në lidhje me ndonjë kërcënim ndaj saj.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar duke shprehur shqetësimet në lidhje me këtë ka reaguar ashpër ndaj bashkëbiseduesve të tij amerikanë.

 


Lajme të ngjashme