Komunikata përfundimtare e Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian

Këshilli Evropian njoftoi se ka miratuar largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe dokumentin e deklaratës politike që do të përcaktojë të ardhmen e marrëdhënieve, duke u bërë thirrje Komisionit dhe Parlamentit Evropian që të bëjnë hapat e nevojshme...

Komunikata përfundimtare e Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian

Këshilli Evropian njoftoi të dielën se ka miratuar largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit) dhe dokumentin e deklaratës politike që do të përcaktojë të ardhmen e marrëdhënieve, duke u bërë thirrje Komisionit dhe Parlamentit Evropian që të ndërmarrin hapat e nevojshme.

Komunikata përfundimtare, miratuar në kuadër të Samitit të Liderëve të BE-së, thekson se Këshilli Evropian ka miratuar shkëputjen e Anglisë dhe Irlandës së Veriut nga Unioni, si dhe u bën thirrje Komisionit të BE-së dhe PE-së për të bërë hapat e nevojshme që marrëveshja të hyjë në fuqi më 30 mars 2019.

Pasi potencon edhe se është miratuar gjithashtu dokumenti i deklaratës politike që do të përcaktojë të ardhmen e marrëdhënieve me Anglinë dhe Irlandën e Veriut, komunikata përfundimtare e Samitit të Liderëve të BE-së tërheq vëmendjen se BE-ja është e vendosur që të zhvillojë marrëdhënie sa më të afërta të mundshme me Britaninë e Madhe në të ardhmen.

Teksti i Marrëveshjes së Shkëputjes nga BE-ja, përgatitur nga negociatorët e Unionit dhe Britanisë së Madhe, pritet të sigurojë qartësi ligjore për të gjitha çështjet që do të dalin si rezultat i Brexit-it.

Me marrëveshjen në fjalë synohet që shtetasit e BE-së dhe të Britanisë së Madhe reciprokisht të vazhdojnë të jetojnë, punojnë, arsimohen dhe të përfitojnë të drejtat sociale si më parë në vendet ku ata janë vendosur.

Po ashtu në këtë marrëveshje është theksuar se angazhimet financiare të 28 shteteve anëtare të BE-së në të kaluarën do të përmbushen plotësisht nga Britania e Madhe, si dhe janë renditur zgjidhje të përbashkëta në çështje si Komuniteti Evropian i Energjisë Bërthamore (Euratom), të drejtat e pronësisë intelektuale, treguesit gjeografikë, produktet tregtare të regjistruara dhe mbrojtja e të dhënave personale.

Marrëveshja i gjen zgjidhje edhe problemit kufitar ndërmjet Irlandës së Veriut, e cila është e varur nga Anglia, si dhe Republikës së Irlandës anëtare të BE-së.

Britania e Madhe vendosi që të largohet nga BE-ja në referendumin e mbajtur më 23 qershor 2016, ndërkohë që shkëputja e Anglisë nga Unioni do të bëhet zyrtare më 29 mars 2019.



Lajme të ngjashme