Procesi i Astanës - Raundi i ri i bisedimeve për Sirinë fillon më 28 nëntor

Kryediplomati kazak njoftoi të hënën se vendet garantuese të Procesit të Astanës (Turqia, Rusia dhe Irani) janë dakorduar që raundi i 11-të i bisedimeve të fillojë më 28 nëntor.

Kayrat Abdrahmanov.jpg

Procesi i paqes në Siri do të vazhdojë me një takim të ri që do të mbahet më 28 dhe 29 nëntor në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Kayrat Abdrahmanov njoftoi të hënën se vendet garantuese të procesit paqësor në Astana, Turqia, Rusia dhe Irani janë dakorduar që raundi i 11-të i bisedimeve të fillojë më 28 nëntor.

Ai tha se në bisedime pritet të marrin pjesë delegacione nga vendet garantuese të procesit si dhe delegacioni i opozitës së armatosur siriane dhe delegacioni i regjimit të presidentit sirian Beshar Esad.

Abdrahmanov gjithashtu tha se si vëzhgues janë ftuar Kombet e Bashkuara (OKB) dhe delegacioni jordanez.

Me ndërmjetësimin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, bisedimet e paqes për Sirinë në Astana filluan në janar të vitit të kaluar. Delegacionet u takuan nëntë herë në Astana dhe raundi i fundit i negociatave u mbajt në Soçi të Rusisë.

Qëllimi i procesit të paqes është vendosja e armëpushimit dhe zgjidhja e krizës së thellë në Siri, e cila ka qenë skenë e një lufte civile për shtatë vite.



Lajme të ngjashme