Gjermani – Ndalohen të gjitha eksportet e armëve në Arabinë Saudite

Gjermania njoftoi të hënën se ka ndaluar të gjitha eksportet e armëve në Arabinë Saudite si masë për të rritur presionin mbi Riadin për të kryer hetim të plotë rreth vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi...

Gjermani – Ndalohen të gjitha eksportet e armëve në Arabinë Saudite

Gjermania njoftoi të hënën se ka ndaluar të gjitha eksportet e armëve në Arabinë Saudite si masë për të rritur presionin mbi Riadin për të kryer hetim të plotë rreth vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, Philipp Jornitz, tha se qeveria gjermane ka njoftuar kompanitë, të cilat tashmë kishin marrë licenca eksporti, se aktualisht nuk do të lejohen eksportime të armëve në Arabinë Saudite.

Komentet e tij erdhën pas raportimeve në mediat amerikane se CIA ka arritur në përfundimin që vrasja e Khashoggit është urdhëruar nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman.

Berlini zyrtar vendosi muajin e kaluar që të mos miratojë eksporte të reja të armëve në Arabinë Saudite, por pa arritur të bllokojë dërgesat e armëve tashmë të miratuara.

Zëdhënësi i Kancelares Angela Merkel përsëriti të hënën thirrjen që Riadi të kryejë një hetim të plotë dhe transparent për vrasjen e Khashoggit.

"Rrethanat e këtij krimi të tmerrshëm nuk janë qartësuar ende në një mënyrë të kënaqshme", deklaroi Steffen Seibert para gazetarëve në Berlin.

Jamal Khashoggi, gazetar saudit që punonte për gazetën amerikane "The Washington Post", u vra pak pasi hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më datë 2 tetor.

Arabia Saudite ka ofruar sqarime të ndryshme për zhdukjen e Khashoggit, para se të sugjeronte se ai ishte vrarë gjatë një operacioni nga agjentë që kanë vepruar jashtë kompetencave.

Deri tani, 21 persona, përfshirë oficerë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen. / AA



Lajme të ngjashme