BE-ja rithekson nevojën për një hetim të “besueshëm dhe transparent” për rastin Khashoggi

Nëpërmjet një komunikate të shkruar në lidhje me çështjen, Federica Mogherini ritheksoi kërkesën e BE-së për një hetim të “besueshëm dhe transparent” në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Khashoggit...

BE-ja rithekson nevojën për një hetim të “besueshëm dhe transparent” për rastin Khashoggi

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimi Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi të dielën se rezultatin e hetimeve mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi do ta ndjekin nga afër së bashku me partnerët ndërkombëtarë.

Nëpërmjet një komunikate të shkruar në lidhje me çështjen, Federica Mogherini ritheksoi kërkesën e BE-së për një hetim të “besueshëm dhe transparent” në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Khashoggit.

“Duhet të zbardhen të gjitha detajet e këtij krimi të tmerrshëm dhe të ndëshkohen fajtorët”, tha Mogherini duke shtuar se kanë ndjekur me vëmendjen deklaratat e bëra më 15 nëntor nga zyrtarët sauditë në lidhje me hetimin.

Shefja e diplomacisë evropiane tërhoqi vëmendjen se fillimi i procesit ligjor është një hap i rëndësishëm, por nënvizoi se BE-ja është kundër dënimit me vdekje në çdo rrethanë.

“Rezultatin e hetimeve mbi vrasjen e gazetarit Khashoggi do ta ndjekim nga afër së bashku me partnerët ndërkombëtarë”, potencoi ajo.

Duke paralajmëruar se zyrtarët sauditë duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që një rast i ngjashëm të mos përsëritet më kurrë, Mogherini nënvizoi se në bazë të rezultatit të hetimeve, shtetet anëtare të BE-së do të përcaktojnë një qëndrim të përbashkët kundër fajtorëve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.



Lajme të ngjashme