Sigurohet armëpushimi në Rripin e Gazës

Rezistenca Palestineze bëri të ditur se me ndërmjetësimin e Egjiptit u arrit në armëpushim me Izraelin.

Sigurohet armëpushimi në Rripin e Gazës

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Dhoma e Operacioneve të Përbashkëta të Rezistencës Palestineze, ku bëjnë pjesë krahët e armatosur të grupeve si Hamasi dhe Organizata Palestineze e Xhihadit Islam, bëhet e ditur se me ndërmjetësimin e Egjiptit u arrit në armëpushim me Izraelin.  

Në deklaratë bëhet e ditur se “për sa kohë që Izraeli i përmbahet armëpushimit edhe ata do ta zbatojnë atë”.

Edhe lideri i Hamasit, Ismail Heniyye kishte bërë të ditur se nëse u jepej fund sulmeve në Rripin e Gazës, gjendja mund të kthehej në armëpushim.

Në sulmet e një nate më parë të Izraelit në Rripin e Gazës, 7 palestinezë ranë dëshmorë ndërsa 25 të tjerë mbetën të plagosur.

Kurse për shkak të raketave të hedhura nga grupet palestineze në anën izraelite u vra një person dhe u plagosën mbi 50 të tjerë.

Ngjarja që shkaktoi shkëndijën për ndezjen e tensionit në Rripin e Gazës, që gjendet nën bllokadë, u përjetua ditën e diel, kur një grup ushtarësh të forcave speciale të ushtrisë izraelite, hynë në Gazë me automjet civil.

Në përleshjen e përjetuar pasi njësitë e forcave të Hamasit evidentuan ushtarët izraelitë, të infiltruar rreth 3 kilometra brenda Gazës, 7 palestinezë ranë dëshmorë si dhe u vra një ushtar izraelit.

Një ditë pas ngjarjes, në sulmet me raketa të grupeve të rezistencës palestineze, ndër të cilat edhe Hamasi dhe Xhihadit Islam, u plagos rëndë një ushtar izraelit.  

Grupet palestineze bënë të ditur se ky sulm, që kishte në objektivë një autobus në palën izraelite, u krye si hakmarrje për dëshmorët e rënë ditën e diel në sulmin e ushtarëve izraelitë.

Pas kësaj ngjarjeje, ndërkohë që Izraeli filloi sulm ajror në Rripin e Gazës, grupet palestineze u kundërpërgjigjën me sulme me raketa.

 


Lajme të ngjashme