SHBA – Republikanët i kërkojnë Trumpit pezullimin e bisedimeve bërthamore me Arabinë Saudite

Pesë senatorë republikanë të përfaqësuar nga Marco Rubio, senator i Floridës, i dërguan Presidentit Trump një letër duke i bërë atij thirrje për të rishikuar marrëveshjet me administratën e Riadit për shkak të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi..

SHBA – Republikanët i kërkojnë Trumpit pezullimin e bisedimeve bërthamore me Arabinë Saudite

Një grup senatorësh republikanë i kërkuan të mërkurën Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të pezullojë negociatat mbi një marrëveshje të energjisë bërthamore me Arabinë Saudite.

Pesë senatorë republikanë të përfaqësuar nga Marco Rubio, senator i Floridës, i dërguan Presidentit Trump një letër duke i bërë atij thirrje për të rishikuar marrëveshjet me administratën e Riadit për shkak të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Senatorët Marco Rubio, Todd Young, Cory Gardner, Rand Paul dhe Dean Heller thanë në letrën e tyre dërguar Trumpit se ata kishin “rezerva serioze” rreth transferimit të teknologjisë bërthamore në Mbretërinë e Arabisë Saudite edhe përpara vdekjes së gazetarit Khashoggi.

“Provat që vazhdojnë të zbulohen në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, si dhe qëndrimet e sauditëve për çështjet që kanë të bëjnë me Jemenin dhe Libanin, kanë forcuar dyshimet dhe rezervat tona rreth transparencës, përgjegjësisë, llogaridhënies dhe gjykimit të vendimmarrësve aktualë në Arabinë Saudite. Prandaj ju kërkojmë që të pezulloni deri në një të ardhme të parashikueshme të gjitha negociatat për një marrëveshje të mundshme bërthamore civile të SHBA-së me Arabinë Saudite”, thuhet në këtë letër.

Emrat në fjalë theksojnë gjithashtu se do t’u referohen neneve të “Ligjit për Energjinë Atomike” për të penguar marrëveshjet bërthamore ndërmjet dy vendeve, nëse Presidenti Trump vendos të injorojë apelin e tyre.

Prokuroria e Stambollit deklaroi një ditë më parë (31 tetor) se analisti saudit i gazetës amerikane “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, është vrarë duke u mbytur sapo ka hyrë në Konsullatën e Përgjithshme të vendit të tij në Stamboll më 2 tetor dhe pastaj trupi i viktimës është copëtuar e zhdukur, sipas një plani të përgatitur më parë.



Lajme të ngjashme