Merkel nuk do të jetë kandidate për mandat të ri të Kancelares

Kancelarja gjermane dhe kryetarja e Unionit Kristiandemokratik (CDU), Angela Merkel, njoftoi se nuk do të kandidojë për postin e kryetares së partisë në kongresin që do të mbahet në dhjetor e as në zgjedhjet e vitit 2021 për kancelare të Gjermanisë.

Merkel nuk do të jetë kandidate për mandat të ri të Kancelares

Angela Merkel, njoftoi se nuk do të kandidojë për postin e kryetares së partisë në kongresin që do të mbahet në muajin dhjetor e as në zgjedhjet e vitit 2021 për kancelare të Gjermanisë.

Duke folur në selinë e CDU-së, Merkel tha se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Hessen kanë shkaktuar zhgënjim për CDU-në si në nivel të shtetit të Hessenit, ashtu edhe në nivel federal.

Merkel tha se merr përgjegjësi për zhvillimet si kancelare dhe kryetare e CDU-së, ndërsa theksoi nevojën për hapjen e një faqeje të re.

"Nuk do të kandidoj për kryetare të partisë në kongresin e CDU-së që do të mbahet në Hamburg në muajin dhjetor. Po ashtu, nuk do të jem as kandidate e Unionit Kristian (CDU/CSU) në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2021. Nuk do të kandidoj as për deputete në Kuvendin Federal", deklaroi kancelarja gjermane Merkel.

Merkel paralajmëroi se ky do të jetë mandati i fundit i saj si kancelare dhe shtoi pas vitit 2021, nuk do të përpiqet të marrë përsipër ndonjë detyrë tjetër politike.

Angela Merkel ka lindur në vitin 1954 në Hamburg, ndërsa rininë dhe vitet studentore i ka kaluar në Gjermaninë Lindore, ku familja e saj ishte zhvendosur pas lindjes së saj.

Merkel ka hyrë në politikë gjatë procesit të bashkimit të dy Gjermanive, pas së cilit në vitin 1990 u zgjodh deputete e CDU-së.

E njohur si pasuese e ish-kancelarit Helmut Kohl, Merkel u emërua si ministre e Gruas dhe Rinisë në vitin 1991 dhe ministre e Mjedisit pas vitit 1994.

Ky post i Merkelit zgjati deri në vitin 1998, kur në qeveri erdhën Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Të Gjelbërit.

Merkel ka qenë kryetare e CDU-së nga 10 prilli i vitit 2000, ndërsa në vitin 2005 u bë kancelarja e parë grua e Gjermanisë.

Pas vitit 2005, ajo u rizgjodh kancelare në vitet 2009, 2013 dhe 2017. Ajo gjendet në postin e kryetare së partisë tashmë 18 vite, kurse në atë të kancelares 13 vite.

Merkel ishte në shënjestër të kritikave pasi në shtator të vitit 2015 hapi dyert për afër një milion refugjatë.

Në zgjedhjet e djeshme parlamentare të mbajtura në Hessen, CDU humbi 11,3 për qind të votave krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ndërsa për këtë humbje përgjegjësia u hodh mbi politikat e qeverisë në nivel federal. (AA)



Lajme të ngjashme