Senatori amerikan: Naivitet të mendosh që princi saudit s’është i përfshirë në vrasjen e Khashoggit

Senatori republikan, Rand Paul, deklaroi të dielën se do të ishte naivitet të mendosh që Princi kurorës saudite, Mohammad bin Salman, nuk është pjesë e procesit të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi...

Senatori amerikan: Naivitet të mendosh që princi saudit s’është i përfshirë në vrasjen e Khashoggit

Senatori republikan, Rand Paul, deklaroi të dielën se do të ishte naivitet të mendosh që Princi kurorës saudite, Mohammad bin Salman, nuk është pjesë e procesit të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Ligjvënësi amerikan u prononcua rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në kanalin informativ “Fox News”, një televizion mbështetës i administratës së Presidentit Donald Trump.

“Nuk ka asnjë mënyrë që 15 persona të dërgohen nga Arabia Saudite në Turqi për të vrarë një disident pa miratimin e princit të kurorës. Ndihem i sigurt se princi i kurorës është i përfshirë dhe se kjo është drejtuar prej tij. Kjo është arsyeja pse mendoj se nuk mund të vazhdojmë të kemi marrëdhënie me të. Prandaj jam i mendimit që ai duhet të zëvendësohet, sinqerisht. Do të ishte naivitet të mendosh që Princi kurorës saudite, Mohammad bin Salman, nuk është pjesë e procesit të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi”, tha Paul për “Fox News”.

Pasi theksoi se duhet të ndalet shitja e armëve për Arabinë Saudite, senatori amerikan vijoi me këto fjalë: “Ne duhet të flasim me ta nëse duan apo jo të jenë aleatët tanë.”

I pyetur nëse i beson raportit të përgatitur nga Riadi për vdekjen e Khashoggit, ligjvënësi republikan u përgjigj duke thënë “sigurisht që jo, kjo është poshtëruese”.

Ndërsa senatori Bob Corker, gjithashtu nga radhët e republikanëve, tha për televizionin “CNN” se Princi Bin Salman është pjesë e ngjarjes që ka të bëjë me vrasjen e Khashoggit.

“Për mendimin tim, Mohammad bin Salmani është pjesë e kësaj dhe ky person (Khashoggi) është vrarë qëllimisht pas direktivës që ai ka dhënë”, u shpreh Corkeri duke kërkuar zbatimin e sanksioneve kundër gjithkujt të përfshirë në këtë rast.

Tjetër senator republikan që u prononcua për televizionin “CNN” ishte edhe Thom Tillis, i cili potencoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i japin Arabisë Saudite një përgjigje të ashpër.

“Ne duhet ta ndjekim këtë ngjarje deri në fund. Në Arabinë Saudite askush nuk guxon të bëjë një gjë të tillë pa marrë urdhër nga lart. Duhet të gjendet përgjegjësi dhe t’i kërkohet llogari”, shtoi ai.

Kurse senatori demokrat, Richard Durbin, i cili foli për kanalin “NBC”, vuri në pah se ambasadorit saudit në Uashington duhet t’i kërkohet zyrtarisht që të kthehet në vendin e tij.

“Mua nuk më bindni dot kurrë se kjo ngjarje nuk është bërë me urdhër të Bin Salmanit”, deklaroi nga ana e tij Lindsey Graham, një ndër emrat më të rëndësishëm të republikanëve.

Kongresmeni demokrat, Adam Schiff, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, paralajmëroi se vrasja e Khashoggit do të shkaktojë regres ndërmjet dy vendeve dhe shtoi: “Ne duhet të ndalojmë shitjen e armëve, të tërheqim mbështetjen ushtarake dhe të shqyrtojmë seriozisht marrëdhëniet tona me Arabinë Saudite.”

Më se dy javë pas zhdukjes së Jamal Khashoggit pasi kishte hyrë më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, Riadi zyrtar njoftoi të shtunën se gazetari “ka vdekur për shkak të një përleshjeje në objektin e Konsullatës”.



Lajme të ngjashme