Jordania anulon 2 anekse të Traktatit të Paqes me Izraelin

“Vendimi ynë është t’u japim fund anekseve të Traktatit të Paqes mbi zonat Al-Baqoura dhe Al-Ghamr për të marrë të gjitha vendimet që do t’i shërbenin Jordanisë dhe jordanezëve”, deklaroi Mbreti Abdullah II i Jordanisë...

Jordania anulon 2 anekse të Traktatit të Paqes me Izraelin

Mbreti Abdullah II i Jordanisë anuloi të dielën dy anekse të Traktatit të Paqes së vitit 1994 me Izraelin.

“Al-Baqoura dhe Al-Ghamr ishin në krye të prioriteteve tona”, deklaroi Mbreti Abdullah II përmes një postimi nga llogaria e tij zyrtare në “Twitter”.

“Vendimi ynë është t’u japim fund anekseve të Traktatit të Paqes mbi zonat Al-Baqoura dhe Al-Ghamr për të marrë të gjitha vendimet që do t’i shërbenin Jordanisë dhe jordanezëve”, theksoi ai duke shtuar se vendimi për t’u dhënë fund dy anekseve në fjalë i është dorëzuar qeverisë izraelite.

Mbretëria Hashemite e Jordanisë i ka lëshuar Izraelit me qira për 25 vite dy territoret e lartpërmendura në bazë të Anekseve 1/B dhe 1/C të Traktatit të Paqes jordanezo-izraelit, i cili është nënshkruar në Oslo më 1994-n.

Pavarësisht se afati i qirasë skadon më 25 tetor 2019, kushtet e marrëveshjes së arritur në atë kohë parashikojnë rinovimin automatikisht të kontratës së qirasë në rast se njëra nga palët nuk deklaron të kundërtën jo më vonë se një vit përpara skadimit të saj.

Sipas kësaj, Jordanisë i duhej që t’i komunikonte Izraelit përpara datës 25 tetor kërkesën e saj për të mos rinovuar kontratën e qirasë.

Afrimi i datës së skadimit të marrëveshjes kishte shkaktuar një valë protestash në Jordani.

Protestat me kërkesën për kthimin e këtyre dy territoreve në sovranitetin e Jordanisë kanë tronditur Mbretërinë në ditët e fundit, ndërkohë që dhjetëra deputetë gjithashtu i kanë bërë thirrje qeverisë që të mos rinovojë kontratën e qirasë me Izraelin.



Lajme të ngjashme