Koment – Administrata rajonale kurde në veri të Irakut pas zgjedhjeve parlamentare

Vlerësimi i Can Acun, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara...

Koment – Administrata rajonale kurde në veri të Irakut pas zgjedhjeve parlamentare

*Can ACUN

Afërsisht 3 milionë votues nga 6 milionë banorë që jetojnë në rajonin e administratës rajonale kurde në veri të Irakut, më 30 shtator, ditën e diel, dolën në kutitë e votimit për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Bëhet e ditur se pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë rreth 57 për qind. Edhe pse zgjedhjet në përgjithësi kanë kaluar në një atmosferë paqësore dhe të qetë, prania e personave të armatosur dhe të forcave peshmerge në disa zona shkaktoi debate serioze në vend. Ndërkohë që Unioni Patriotik i Kurdistanit (KYB) dhe Partia Demokratike e Kurdistanit (KDP) e akuzonin njëra-tjetrën për mashtrime në zgjedhje, Lëvizja Gorran dhe Lëvizja e Gjeneratës së Re veçanërisht akuzuan Unionin Patriotik të Kurdistanit (KYB) për mashtrim. Përkundër të gjitha deklaratave, zgjedhjet parlamentare të administratës rajonale kurde në veri të Irakut në përgjithësi kanë qenë të suksesshme. Në këtë kontekst, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy ka përshëndetur mbajtjen në një atmosferë paqësore dhe të qetë të zgjedhjeve parlamentare të administratës rajonale kurde dhe uroi që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të jenë të dobishme nga aspekti i ruajtjes së tërësisë territoriale dhe unitetit të Irakut si dhe të kontribuojnë në vendosjen e stabilitetit në vend.

Sipas rezultateve jozyrtare, ndërkohë që Partia KDP mori 45 për qind të votave në këto zgjedhje, Unioni KYB humbi në këto zgjedhje duke marrë vetëm 19 për qind të votave. Lëvizja Gorran në zgjedhje mori 12 për qind të votave, ndërsa Lëvizja e Gjeneratës së Re i fitoi 8,3 për qind të votave. Ndërkohë që partitë islame në këto zgjedhje morën 7 për qind dhe 5 për qind të votave, aleanca Serdem mori vetëm 1 për qind të votave. Partia Demokratike e Kurdistanit (KDP), e cila në këto zgjedhje arriti sukses të madh, në të njëjtën kohë fitoi edhe  mundësinë për të formuar qeverinë me një parti tjetër më të vogël duke e anashkaluar Unionin Patriotik të Kurdistanit (KYB). Ndërkohë që vazhdonte procesi i numërimit të votave, në Parlamentin e Irakut mbahej votimi për zgjedhjen e presidentit të vendit. Pamundësia që sipas kushtetutës së Irakut të paraqesin kandidat të përbashkët për president nga radhët e kurdve, nxiti rivalitetin dhe shkaktoi krizë mes dy partive.

Si kandidat për President, KDP-ja e tregoi Fuad Huseyin, ndërsa KYB-ja Berhem Salih. Në raundin e dytë të votimeve të fshehta në Parlamentin e Irakut nga 329 morën pjesë 272 deputetë. Kandidati i KYB-së, Berhem Salih në këto zgjedhje i fitoi 219 vota dhe kështu u bë Presidenti i 4-t i Irakut. Ndërkaq kandidati i KDP-së arriti ti marrë vetëm 22 vota. Në raundin e parë të votimit të bërë në Parlamentin e Irakut për zgjedhjen e presidentit asnjë nga 7 kandidatët nuk arriti ti marrë 220 votat e nevojshme për tu zgjedhur për president. Në raundin e parë të votimit Berhem Salih mori 165, Fuad Huseyin 89, ndërsa kandidatja e pavarur, Sirve Abdulvahid i mori 18 vota. Fitorja e kandidatit të KYB-së, Berhem Salih në zgjedhjet presidenciale ka të ngjarë që administrata rajonale kurde të ketë implikime në politikën e brendshme. Në të vërtetë KDP-ja, e cila korri sukses të madh në zgjedhjet e mbajtura në të njëjtën ditë, do të mund të ndjek politika më të ashpra dhe më të forta kundër KYB-së në skenën e brendshme politike.

Rezultat e zgjedhjeve të mbajtura në rajonin e administratës rajonale kurde në veri të Irakut do të mund të ndikojnë në marrëdhëniet e rajonit kurd me Turqinë dhe luftën e kësaj të fundit kundër terrorit. Udhëheqja e rajonit kurd, e cila pas referendumit të pavarësisë u përball me përgjigjen e ashpër të qeverisë qendrore të Irakut dhe që i humbi fitimet si ajo në Kerkuk, dëshiron ti përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë. Partia Demokratike e Kurdistanit (KDP), dëshiron ti ringjallë marrëdhëniet tregtare edhe në fushën ekonomike me Turqinë. Vazhdimi i sanksioneve të Turqisë ndaj aeroportit të Suleymaniyes, që ndodhet nën kontrollin e Unionit Patriotik të Kurdistanit (KYB), është një tregues i rëndësishëm i qëndrimit të Turqisë ndaj këtij unioni. Ndërkaq me fitoren e KDP-së mund të pritet që marrëdhëniet mes Turqisë dhe administratës rajonale të ndikohen pozitivisht. Operacionet ushtarake, të cilat Turqia i zhvillon në veri të Irakut në kuadër të luftës kundër terrorit, kanë për qëllim parandalimin e infiltrimit të terroristëve të PKK-së në Turqi nga veriu i Irakut. Lufta e Turqisë kundër organizatës separatiste terroriste PKK mund të forcohet edhe më shumë me fitoren e KDP-së. Ndërkohë që marrëdhëniet e PKK-së me KYB-në janë relativisht të mira, këto marrëdhënie me KDP-në janë relativisht më të këqija. Turqia me forcimin e marrëdhënieve me administratën rajonale kurde nga KDP-ja mund të kërkojë të hedh hapa konkrete kundër PKK-së, e cila paraqet kërcënim për Turqinë.

 

Dështimi i formimit të qeverisë qendrore në Irak pas muajve të tërë nga mbajtja e zgjedhjeve, shkakton probleme të rëndësishme edhe për Turqinë edhe për Irakun. Ndërkaq në qoftë se zgjedhjet e mbajtura në administratën rajonale kurde rezultojnë me formimin e shpejtë të qeverisë atëherë kjo do të sjell rezultate pozitive për sigurinë e administratës rajonale kurde, Irakun dhe Turqinë. Mirëpo me formimin edhe të qeverisë qendrore të Irakut do të mund të luftohet në mënyrë më efikase me shumë probleme në Irak.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA).



Lajme të ngjashme