Idlib - Opozita siriane i beson Turqisë

Tërheqjen e artilerisë nga fronti në Idlib udhëheqësit e opozitës siriane e konsiderojnë hap pozitiv.

Idlib - Opozita siriane i beson Turqisë

Tërheqjen e artilerisë nga fronti në Idlib udhëheqësit e opozitës siriane e konsiderojnë hap pozitiv që u zbatua dje në përputhje me marrëveshjen turko-ruse për krijimin e zonës së demilitarizuar në rajonin sirian.

Anëtari i komitetit politik të Koalicionit Kombëtar të Forcave Revolucionare të Sirisë (SMDK), Yaser Ferhan, tha se tërheqja e artilerisë është një tregues i aleancës së mirë dhe të suksesshme të opozitës siriane dhe Turqisë.

"Tërheqja e artilerisë është dëshmi se opozita i beson Turqisë. Grupet e armatosura të opozitës kanë tërhequr artilerinë nga frontet duke treguar për një bashkëpunim të suksesshëm me Turqinë", tha Ferhan për Agjencinë e lajmeve Anadolli (AA).

Ai gjithashtu tha se tërheqja e artilerisë nga frontet dhe forcimi e pikave të kontrollit të Forcave të Armatosura Turke do të jenë me dobi të madhe për popullatën vendore në Idlib.

"Kështu ne do të parandalojmë forcat besnike të regjimit të Presidentit sirian Bashar Esad që nën pretekste të ndryshme të kryejnë sulme në Idlib. Po ashtu është parandaluar edhe depërtimi i mundshëm i terroristëve të YPG/PYD-së në rajon dhe afrimi i tyre ndaj kufirit", tha Ferhan.

Turqia dhe Rusia kohët e fundit kanë arritur një marrëveshje mbi themelimin e zonave të demilitarizimit dhe eliminimit të elementeve terroriste nga rajoni i Idlibit, kurse Ferhan tha se kjo do të thotë ardhja e paqes për miliona civilë në rajon, i cili është nën kontrollin e opozitës siriane dhe rrethuar nga forcat e Esadit.

"Marrëveshja e Soçit do të sjellë paqe. Zbatimi i saj do të thotë siguri dhe fund i sulmeve të artilerisë dhe të sulmeve ajrore mbi civilët, fëmijët dhe të moshuarit në Idlib", tha Ferhan.

Më tej ai theksoi bindjen se vendosja e paqes do të mundësonte gjithashtu rindërtimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për popullatën lokale.

"Kjo është një mundësi e rëndësishme për opozitën siriane si nga aspekti ushtarak, ashtu edhe nga ai politik. Marrëveshja e Soçit është një hap i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje politike të krizës siriane. Thyen pengesat e akullit që regjimi i vendos rrugës së negociatave në Gjenevë. Opozita do të ketë mundësinë për bashkëpunim më të mirë me komunitetin ndërkombëtar dhe regjimi do të pajtohet me rezolutat e OKB-së", përfundoi Ferhan.

Marrëveshja për krijimin e zonave të demilitarizimit në Idlib, u arrit nga mesi i muajit të kaluar mes Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin. Marrëveshja parashikon që deri në mes të këtij muaji të krijohet një zonë e sigurt në të cilën armëpushimi do të kontrollohej nga forcat turke dhe ruse.

Qëllimi i marrëveshjes është parandalimi i viktimave të reja civile në Idlib, që do të shkaktonte një valë të re të refugjatëve drejt Turqisë dhe Evropës. (AA)

 


Lajme të ngjashme