Izrael – Netanyahu njofton një takim me Putinin, i pari pas tensioneve për rrëzimin e avionit rus

“Kemi rënë dakord me kreun e shtetit rus për t’u takuar së afërmi dhe për të biseduar në lidhje me vazhdimin e koordinimit të sigurisë ndërmjet ushtrive ruse dhe izraelite”, deklaroi kryeministri izraelit gjatë mbledhjes javore të qeverisë...

Izrael – Netanyahu njofton një takim me Putinin, i pari pas tensioneve për rrëzimin e avionit rus

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi të dielën se kanë rënë dakord me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që të takohen në një të ardhme të afërt.

Në një prononcim gjatë mbledhjes javore të kabinetit qeveritar, Benjamin Netanyahu theksoi se ka realizuar pak kohë më parë një bisedë telefonike me Putinin.

“Kemi rënë dakord me kreun e shtetit rus për t’u takuar në një të ardhme të afërt dhe për të biseduar në lidhje me vazhdimin e koordinimit të sigurisë ndërmjet ushtrive ruse dhe izraelite”, deklaroi Netanyahu, pa dhënë një datë konkrete se kur do të mbahet ky takim.

Shefi i Tel-Avivit zyrtar tha gjithashtu se do të bëjnë gjithmonë ç’të jetë e nevojshme për të ndaluar themelimin e pranisë ushtarake iraniane në Siri.

Ky takim që thuhet se do të mbahet brenda një kohe të shkurtër, do të jetë i pari kokë më kokë mes dy liderëve pas tensioneve ndërmjet Tel-Avivit dhe Moskës për shkak të rrëzimit të avionit ushtarak rus në Siri muajin e kaluar.

Pas rrëzimit të avionit rus, u pretendua se Netanyahu kishte planifikuar një vizitë në Rusi, kërkesë kjo që ishte refuzuar nga Moska.

Vlen të kujtojmë se avioni ushtarak rus, Il-20, i cili më 17 shtator u zhduk nga radarët në Siri, është rrëzuar nga sistemi rus i mbrojtjes ajrore të regjimit sirian, S-200. Rusia hodhi pretendimin se avioni Il-20 është goditur nga raketat pasi avionët luftarakë izraelitë, F-16, e kanë përdorur atë si mburojë.

Ndërsa qeveria izraelite i refuzoi akuzat e Rusisë duke thënë se avioni është goditur nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit të Esadit dhe përgjegjësia rëndon plotësisht mbi këtë të fundit.



Lajme të ngjashme