Siri – Banorët e Rakës nuk e duan YPG/PKK-në në qytet

Në qytetin Raka (Ar-Raqqa), të cilin organizata terroriste separatiste YPG/PKK e mban të pushtuar, forcat e armatosura lokale vazhdojnë veprimet për të nxjerrë organizatën jashtë nga qyteti.

Siri – Banorët e Rakës nuk e duan YPG/PKK-në në qytet

YPG/PKK, e cila i rekruton dhe i mban me forcë nën armë civilët, nuk pranon t’u dorëzojë pronarëve shtëpitë që i ka konfiskuar gjatë përleshjeve me DAESH-in.

Organizata (YPG/PKK) nuk i pranon banorët e Rakës në Kuvend dhe qytetin e administron duke e ndarë atë në njësi administrative, që i ka emërtuar "komunë".

Kurse arabët e armatosur, të cilët duan që organizata të dalë nga qyteti dhe t’ua transferojë qeverisjen grupeve vendore, që nga maji e këtej janë përleshur disa herë me YPG/PKK-në, kurse civilët vazhdojnë të mbajnë protesta.

YPG/PKK kishte hapur zjarr mbi civilët, që kishin marrë pjesë në këto protesta, dhe shumicën e tyre i kishte arrestuar.

Kohët e fundit është shtuar edhe numri i atentateve ende të pazbuluara që bëhen kundër terroristëve të YPG/PKK-së.

Të paktën 15 terroristë, pjesëtarë të YPK/PKK, ishin vrarë muajin e kaluar në atentatet me motoçikleta, silenciatorë dhe eksplozivë në qendër të Rakës dhe në qytezën Tabka.

Burimet lokale raportojnë se disa prej atentateve janë bërë nga persona të armatosur dhe fise që kanë lidhje me Ushtrinë e Lirë Siriane.

Përballë një situate të tillë organizata ka shtuar numrin e terroristëve në pikat e kontrollit që ka ngritur në hyrjet dhe daljet e Rakës.

Organizata ka hapur në Raka edhe një burg të madh dhe herë pas here shpall ndalimqarkullimi në qytet dhe bastis shtëpitë e civilëve.

Shumë civilë organizata terroriste i ndalon dhe arreston rastësisht duke i akuzuar për lidhje me opozitarët.

Në qendër të qytetit, i kthyer pothuajse i gjithi në gërmadhë si pasojë e sulmeve të shumta ajrore të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara (ShBA), civilët përpiqen me mundësitë e tyre të kufizuara të rindërtojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara.

YPG/PKK nuk ofron ndonjë shërbim për civilët në qytet. Edhe ata pak civilë që janë kthyer në shtëpitë e tyre, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, po përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira.

 


Lajme të ngjashme