Rusia akuzon Izraelin për avionin që i ra në Siri

“E gjithë përgjegjësia për rrëzimin e avionit rus në Siri dhe ekuipazhin që vdiq është e Izraelit”, tha ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu.

Rusia akuzon Izraelin për avionin që i ra në Siri

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë thuhet se avioni ushtarak rus, tip IL-20 që ishte zhdukur të hënën në mbrëmje nga radari ndërsa ishte duke fluturuar me 15 ushtarë në bord afër bazës ajrore Hmejmim, është goditur nga një raketë e lëshuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit, S-200.

Sipas deklaratës në fjalë pilotët izraelitë e kanë përdorur avionin rus si mburojë, duke e tërhequr atë në zonën ku ndodhej sistemi i mbrojtjes kundërajrore të Sirisë.

“Nuk pati kohë të mjaftueshme për të siguruar largimin e avionit rus nga zona, për shkak të njoftimit të vonuar”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, duke shtuar se “Avioni rus IL-20 ishte goditur nga sistemi S-200 (i Sirisë)”.

“Ne e vlerësojmë si një veprim armiqësor këtë provokim të Izraelit. 15 ushtarë rusë humbën jetën për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të ushtarëve izraelitë. Kjo është kategorikisht kundër frymës së marrëdhënieve Rusi-Izrael”,- shtoi Konashenkov.

Ndërkaq ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu pas rrëzimit të avionit ushtarak rus nga sistemi i mbrojtjes kundërajrore të Sirisë (me raketa) S-200 ka realizuar një bisedë telefonike me ministrin e Mbrojtje së Izrelit, Avigdor Liberman.

Në këtë bisedë telefonike Shoygu i kishte thënë homologut izraelite se 15 ushtarët rusë e kishin humbur jetën për shkak të “veprimeve të papërgjegjshme” të Izraelit.

“Megjithë marrëveshjet në fuqi që janë bërë për të parandaluar incidentet e rrezikshme, Izraeli e ka informuar palën ruse vetëm 1 minutë para se të kryente sulmet në Siri”, shtoi Shoygu.

Për rrëzimin e avionit rus në Siri Shoygu akuzoi Izraelin, duke thënë: “E gjithë përgjegjësia për rrëzimin e avionit rus në Siri dhe ekuipazhin që vdiq është e Izraelit”.

Në një deklaratë të mëhershme Ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar se avioni ushtarak rus tip IL-20 ishte zhdukur nga radari ndërsa ishte duke fluturuar me 15 ushtarë në bord mbi Mesdhe në rrugën e kthimin në bazën e nisjes Hmejmim në Siri.

Avioni ishte zhdukur gjatë sulmit të 4 avionëve izraelitë, F-16 në qytetin Latakia të Sirisë.

 


Lajme të ngjashme