Siri – Ofensivë ajrore ruse në Idlib e Hama, goditen vendbanimet civile dhe vijat e frontit të opozitarëve

“Tre avionë luftarakë rusë, të ngritur nga Baza Ajrore Khmeimim, kanë kryer 20 sulme deri më tani”, deklaroi observatori ajror opozitar nëpërmjet një postimi në median sociale...

Siri – Ofensivë ajrore ruse në Idlib e Hama, goditen vendbanimet civile dhe vijat e frontit të opozitarëve

Avionë luftarakë rusë sulmuan të martën pjesën perëndimore të Idlibit dhe atë veriore të provincës Hama në Siri.

Burimet lokale njoftojnë se në këto dy qytete janë goditur vendbanimet civile dhe vijat e frontit të opozitarëve.

“Tre avionë luftarakë rusë, të ngritur nga Baza Ajrore Khmeimim, kanë kryer 20 sulme deri më tani”, deklaroi observatori ajror opozitar nëpërmjet një postimi në median sociale.

I njëjti burim thekson se ofensiva ajrore vazhdon dhe për momentin nuk ka ende asnjë informacion për numrin e viktimave apo të plagosurve nga këto sulme.

Provinca veriperëndimore siriane e Idlibit, e cila kontrollohet nga opozita ushtarake dhe grupet e armatosura kundërshtare të regjimit, qe shpallur “zonë çtensionimi” në takimin e mbajtur në Astanë, më 4 dhe 5 maj 2017.

Mirëpo regjimi i Esadit dhe hera-herës Rusia vazhdojnë të ndërmarrin sulme ajrore në këtë zonë.

Rusia mbështet regjimin sirian, i cili është duke u përgatitur për një operacion të shkallës së gjerë në provincën e Idlibit.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3 milionë civilë jetojnë në Idlib dhe rrethinat e tij, konsideruar si bastioni i fundit i opozitarëve sirianë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se një operacion i mundshëm në Idlib ka gjasa që të shkaktojë zhvendosjen e 250-700 mijë personave.

Presidentët Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, Vladimir Putin i Rusisë dhe Hassan Rouhani i Iranit pritet të takohen në Teheran, më datë 7 shtator, për të diskutuar rreth situatës në veriperëndim të Sirisë.



Lajme të ngjashme