Sebastian Kurz: Austria mbështet dialogun në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim të përbashkët me Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, Komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Johannes Hahn dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

1037874
Sebastian Kurz: Austria mbështet dialogun në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një takim të përbashkët me Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, Komisionerin e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Johannes Hahn dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se Kancelari austriak, si nikoqir i këtij takimi, ka theksuar se Austria gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së, prioritet kryesor do të ketë politikat e zgjerimit dhe të fqinjësisë së mirë, si dhe ato të sigurisë dhe migracionit.

Në njoftim thuhet se një çështje tjetër, e cila ishte në fokusin primar të këtij takimi, ishte edhe procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja. Lidhur me këtë proces, Kancelari Kurz ka inkurajuar të dy presidentët për të vazhduar përpjekjet e tyre për të arritur në marrëveshje.

"Arritja e marrëveshjes është parakushti kryesor për anëtarësimin e dy shteteve në BE. Austria mbështet dialogun dhe arritjen e marrëveshjes si dhe integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka theksuar Kurz.

Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur mirënjohje Austrisë për ndihmën në kuadër të procesit të integrimit në BE dhe arritjes së marrëveshjes eventuale paqësore me Serbinë. Sipas tij, Kosova me përkushtim do t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në BE dhe do të bëjë përpjekje serioze për arritjen e marrëveshjes paqësore ligjore me Serbinë.

“Përkrahja e Austrisë dhe e shteteve të tjera anëtare të BE-së, përkrahja e vazhdueshme e SHBA-së për arritjen e marrëveshjes janë vendimtare në këtë fazë përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por të domosdoshëm”, ka thënë Thaçi. (AA)



Lajme të ngjashme