“Mburoja e Eufratit” solli qetësi në veri të Sirisë

Rajoni i Sirisë i spastruar nga terrori me operacionin “Mburoja e Eufratit”, i cili kryhet nga njësi të Forcave të Armatosura Turke (TSK) dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), është shndërruar në një nga zonat e qeta dhe të sigurta të vendit.

“Mburoja e Eufratit” solli qetësi në veri të Sirisë

Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) dy vjet më parë filluan ofensivën "Mburoja e Eufratit", gjatë së cilës u shkatërruan fortesat terroriste dhe në veri të Sirisë filloi një jetë e re.

Fushata filloi me çlirimin e qytetit kufitar sirian Xherabulus (Jarabulus). Gjatë operacionit gjashtëmujor në veri të Sirisë nga terroristët u pastrua një territor me sipërfaqe rreth 2.055 kilometra katrorë.

Në periudhën e fundit në këtë zonë gjendja është stabilizuar, banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre, kurse rindërtimi dhe zhvillimi i rajonit është në proces, duke përfshirë edhe riaktivizimin e sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë.

Forcat turke, më 24 gusht të vitit 2016 nisën ofensivën "Mburoja e Eufratit" dhe pas 12 ditësh arritën objektivin e parë duke dëbuar terroristët e YPG/PKK-së dhe DAESH-it nga kufiri sirian me Turqinë.

Në fazën e dytë të ofensivës, forcat turke vazhduan me zgjerimin e zonave të lira dhe u fokusuan në çlirimin e qytetit al-Bab, i cili ndodhet afër Halepit dhe konsiderohej si fortesa kryesore e terroristëve të DAESH-it.

Në fund të shkurtit të vitit të kaluar, forcat turke dhe ULS çliruan qytetin al-Bab, me çka Turqia mbeti jashtë rrezikut të predhave të artilerisë së DAESH-it si dhe pengoi YPG/PKK-në në përpjekjet e saj për të krijuar një korridor terrori në kufirin jugor të Turqisë.

Pas përfundimit të ofensivës, forcat turke dhe çliruesit neutralizuan elementet e mbetura terroriste dhe fushat e minuara, ndërsa rajoni i çliruar nga Azazi deri në Xherabulus u bë i njohur si "rajoni i ofensivës Mburoja Eufratit".

Forcat e sigurisë së Turqisë kanë vendosur kontroll në rajon dhe kanë filluar procesin e rindërtimit duke mundësuar lehtësimin e kthimit të refugjatëve. Për sigurinë kujdesen sirianët e trajnuar nga forcat turke.

Me mbështetjen e Turqisë Janë formuar edhe Asambletë lokale, të cilat po punojnë për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara. Qytetarët janë furnizuar sërish me ujë të pijshëm, energji elektrike, kanë filluar të marrin shërbime në pastrim dhe rregullim ambienti. Përmes punës së tyre qeverisjet vendore kanë fshirë në masë të madhe gjurmët e organizatës terroriste.

Sipas të dhënave të grumbulluara dhe numërimi i popullsisë së kryer nga Asambletë lokale, gjatë periudhës së kaluar është përshpejtuar kthimi në rajon. Aktualisht në këtë rajon jetojnë rreth 1,5 milion njerëz, që është pesë herë më shumë se numri i banorëve gjatë pushtimit terrorist.

Si një zonë e sigurt, rajoni i çliruar me ofensivën "Mburoja e Eufratit" është bërë një strehë edhe për sirianët e zhvendosur nga pjesë të tjera të vendit.

Qytetet Mare, Azaz, Jarabulus, Çobanbey dhe al-Bab dalëngadalë janë duke u kthyer në gjendjen e dikurshme, një rajon i tregtisë, bagëtisë dhe bujqësisë. Një kontribut të ndjeshëm ka dhënë këtu edhe PTT-ja turke, e cila ka krijuar rrjetin e degëve të saj në këtë rajon.

Gjatë pushtimit trevjeçar, terroristët e DAESH-it shkatërruan shumë shkolla dhe objekte të tjera të infrastrukturës në rajon.

Me ndihmat e qeverisë turke gjatë dy viteve të fundit, gati 500 shkolla janë rinovuar dhe përshtatur për procesin mësimor.

Me mbështetjen e Turqisë, është aftësuar edhe stafi mësimdhënës dhe rreth 6.000 mësues punojnë në shkollat e rindërtuara, ku mësimet i ndjekin rreth 200.000 nxënës.

Procesin e kthimit të refugjatëve në rajon gjithashtu e kanë inkurajuar edhe investimet në sektorin e shëndetësisë. Turqia ka ndërtuar një spital shtetëror në Jarabulus, i cili mesatarisht në ditë ofron shërbime shëndetësore për 400 pacientë. Po ashtu janë rindërtuar edhe spitalet në Azaz dhe Jarabulus. Ndërtimi i spitaleve të reja me kapacitet 200 shtretër në al-Bab dhe provincat Mare dhe Çobanbey është në vijim.

Me mbështetjen e Fondacionit të Diyanetit Turk (TDV) në këtë rajon verilindor janë restauruar 108 xhami, dhe rreth 500 punonjës janë kthyer në krye të punës për të ofruar shërbime fetare.

 



Lajme të ngjashme