Zvicër – Ndahet nga jeta ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan

Ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ganezi Kofi Annan, vdiq të shtunën pas një sëmundjeje të shkurtër, njoftoi fondacioni i tij me qendër në Gjenevë...

Zvicër – Ndahet nga jeta ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan

Ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ganezi Kofi Annan, vdiq të shtunën pas një sëmundjeje të shkurtër, njoftoi fondacioni i tij me qendër në Gjenevë.

Kofi Annan, 80 vjeç, ka fituar në vitin 2001 edhe Çmimin Nobel për Paqen.

“Me trishtim të madh, familja Annan dhe Fondacioni ‘Kofi Annan’ njoftojnë se Kofi Annan, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe fitues i çmimit Nobel për Paqen, vdiq sot pas një sëmundjeje të shkurtër në spitalin ku kurohej, në Bernë të Zvicrës”, tha Fondacioni me anë të një komunikate të shkruar.

Lajmi është konfirmuar edhe nga OKB-ja.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga vdekja e Kofi Annan. Ai iu qas problemeve me dialog, punoi pa ndërprerje për paqen dhe ia kushtoi jetën kësaj”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Annan e nisi karrierën e tij ndërkombëtare në vitin 1962, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Nga viti 1972 deri në 1974-n, ai ishte drejtor i Turizmit në Ganë. Prej vitit 1987, Annan ka ushtruar disa nga funksionet më të rëndësishme në OKB duke përfshirë edhe postin e asistentit të sekretarit të përgjithshëm. Në vitin 1990 ishte ngarkuar në operacione paqësore, ndërsa nga tetori i vitit 1995 u zgjodh përfaqësues i posaçëm i OKB-së për ish-Jugosllavinë.

Më 13 dhjetor 1996, Këshilli i Sigurimit të OKB-së e emëroi atë sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i pari njeri me ngjyrë në këtë detyrë, kurse në vitin 2002 ai fitoi një mandat të dytë në këtë post.

Pas 10 viteve në krye të OKB-së, më 1 janar 2007, Kofi Annan ia dorëzoi detyrën koreanojugorit Ban Ki-Moon.

Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së është njëherësh edhe hartuesi i planit që njihet me emrin e tij (Plani Annan), për të krijuar terrenin e pajtimin ndërmjet palëve në Qipro.

Plani Annan iu paraqit palëve turke dhe greke të ishullit më 11 nëntor 2002, por nuk u jetësua si pasojë e votës “Jo” të grekoqipriotëve në referendumin e vitit 2004.



Lajme të ngjashme