Pompeo: SHBA-ja nuk do ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi të mërkurën se vendi i tij, së bashku me aleatët, partnerët dhe shoqërinë ndërkombëtare, refuzojnë përpjekjen e Rusisë për të aneksuar Krimenë...

Pompeo: SHBA-ja nuk do ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi të mërkurën se vendi i tij, së bashku me aleatët, partnerët dhe shoqërinë ndërkombëtare, refuzojnë përpjekjen e Rusisë për të aneksuar Krimenë.

“Duke tentuar aneksimin e Krimesë në vitin 2014, Rusia ka shkelur parimet ndërkombëtare që parashikojnë se kufijtë e një vendi s’mund të ndryshohen duke përdorur forcën”, theksoi sekretari Pompeo nëpërmjet një komunikate të publikuar nën titullin “Deklarata e Krimesë”.

Ai rikujtoi se edhe Rusia vetë është një ndër shtetet që e pranojnë atë dispozitë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara, e cila përcakton se kufijtë nuk mund të ndryshohen duke përdorur forcë.

“Sikurse dhe në Deklaratën e Wellesit të vitit 1940, SHBA-ja riafirmon politikën e saj për të refuzuar pretendimin e Kremlinit për sovranitet mbi territoret që ka fituar me forcë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. SHBA-ja, së bashku me aleatët, partnerët e saj dhe bashkësinë ndërkombëtare, refuzojnë përpjekjen e Rusisë për të aneksuar Krimenë dhe premton të vazhdojë këtë politikë derisa të rivendoset integriteti territorial i Ukrainës”, tha shefi i diplomacisë amerikane.

Pompeo i bëri thirrje Rusisë që “të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të heqë dorë nga pushtimi i Krimesë”.

“Rusia veproi në një mënyrë që nuk i ka hije një kombi të madh dhe zgjodhi të izolojë vetveten në shoqërinë ndërkombëtare”, shtoi ai.

Mike Pompeo përdori të njëjtat shprehje edhe gjatë sesionit të një dite më parë në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit amerikan.

Deklarata e Wellesit, publikuar më 23 korrik 1940 nga Summer Welles, i cili asokohe ushtronte detyrën e sekretarit amerikan të Shtetit, pas pushtimit të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), refuzonte pushtimin e vendeve baltike në fjalë.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, e vlerësoi Deklaratën e Krimesë, nëpërmjet të cilës Departamenti amerikan i Shtetit përcakton si politikë zyrtare mosnjohjen e Krimesë si një pjesë të Rusisë, përmes një postimi nga llogaria e saj në “Facebook”.

Ajo e krahasoi Deklaratën e Krimesë me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), siç njihet zyrtarisht marrëveshja bërthamore me Iranin, si dhe me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, nga të cilat SHBA-ja është tërhequr me vendim të Presidentit Donald Trump.

“Megjithatë Plani i Përbashkët i Veprimit për programin bërthamor iranian dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën kanë qenë gjithashtu politika zyrtare amerikane kohët e fundit. Vetë (ish-presidenti amerikan, Barack) Obama pati vendosur kështu. Por më pas Trumpi fitoi dhe e ndryshoi vendimin. Ne e dimë vlerën e këtyre ‘deklaratave fatale’”, tha zëdhënësja e MPJ ruse.



Lajme të ngjashme