Afganistan - Të paktën 4 agjentë të shërbimit të inteligjencës janë vrarë në një sulm kamikaz

Sulmi ndodhi gjatë kalimit të autokolonës së pjesëtarëve të shërbimit të inteligjencës së Afganistanit në zonën Kampani.

1019933
Afganistan - Të paktën 4 agjentë të shërbimit të inteligjencës janë vrarë në një sulm kamikaz

Në një sulm kamikaz të ndërmarrë në kryeqytetin Kabul të Afganistanit që në objektiv kishte agjentët e inteligjencës janë vrarë të paktën katër persona.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë në Kabul, Hashmat Stanikzey tha se sulmuesi aktivizoi bombën që mbante në trup gjatë kalimit të autokolonës së pjesëtarëve të shërbimit të inteligjencës së Afganistanit në zonën Kampani.

Stanikzey bëri të ditur se në këtë sulm kamikaz kanë humbur jetën 4 agjentë, ndërsa janë plagosur 6 të tjerë.

Ndërkaq dëshmitarët okularë pretenduan se në sulmin në fjalë, përgjegjësinë e të cilit e mori përsipër organizata e talebanlëve, janë vrarë 5 persona.

Ndërsa zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Muxhahit pretendoi se në sulmin e ndërmarrë me autobombë janë vrarë dhjetëra agjentë të shërbimit të inteligjencës.

 


Lajme të ngjashme