Jemeni lavdëron Turqinë: Mirënjohës për mbështetjen që na ofron në çdo fushë

Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jemenit për Çështjet Politike, Mansour Ali Saeed Bajash, është shprehur i kënaqur nga Turqia për qëndrimin e saj në krah të qeverisë legjitime dhe lehtësitë e ofruara për qytetarët jemenas në Turqi...

Jemeni lavdëron Turqinë: Mirënjohës për mbështetjen që na ofron në çdo fushë

Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jemenit për Çështjet Politike, Mansour Ali Saeed Bajash, është shprehur i kënaqur nga Turqia për qëndrimin e saj në krah të qeverisë legjitime dhe lehtësitë e ofruara për qytetarët jemenas që jetojnë në territoret e saj.

Siç bën të ditur agjencia zyrtare jemenase e lajmeve, “SABA”, Bajash ka folur me lëvdata për Turqinë në lidhje me mbështetjen e saj për vendin e tij në shumë fusha, gjatë një takimi në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite me sekretarin e parë dhe njëherësh të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Turqisë në Sana, Çetin Taner.

Bajash ka theksuar se Jemeni është jashtëzakonisht i kënaqur nga mbështetja e Turqisë për qeverinë legjitime të vendit të tij dhe për lehtësitë e ofruara në lidhje me lejet e qëndrimit të qytetarëve jemenas, të cilët janë detyruar të jetojnë në Turqi për shkak të krizës në vendin e tyre.

Ai ka përshëndetur qeverinë turke për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit dhe uruar Presidentin Recep Tayyip Erdogan për fitoren elektorale.

Nga ana e tij, Çetin Taner ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Turqisë për të kontribuuar në çdo mënyrë për të lehtësuar problemet e popullit jemenas duke shtuar se Ankaraja do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen dhe ndihmat e saj për jemenasit.

Sekretari i parë dhe njëherësh i ngarkuari me punë në Ambasadën e Turqisë në Sana ka nënvizuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë gjithashtu qeverinë legjitime të Jemenit.

Rebelët huthi, të cilët kanë bërë grusht shteti ndaj qeverisë legjitime të Jemenit, vend në krizë të thellë dhe destabilitet politik prej një kohe të gjatë, mbajnë nën kontrollin e tyre kryeqytetin Sana dhe disa zona të tjera të vendit që prej muajit shtator 2014.



Lajme të ngjashme