Samiti Trump-Putin: Një fillim i mirë drejt përmirësimit të marrëdhënieve ruso-amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, përshëndetën të hënën fillimin e mirë drejt përmirësimit të marrëdhënieve bilaterale të tensionuara...

trump-putin.jpg
Putin Trump
Trump ve Putin.jpg
video kapak trump putin
Trump.jpeg
trump-putin.JPG

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, përshëndetën të hënën fillimin e mirë drejt përmirësimit të marrëdhënieve bilaterale të tensionuara.

Dy liderët u takuan për rreth dy orë pas dyerve të mbyllura në kryeqytetin Helsinki të Finlandës, më pas drejtuan një drekë pune në prani të zyrtarëve të lartë rusë dhe amerikanë, kurse në fund u shfaqën përpara kamerave për një konferencë të përbashkët shtypi.

“Raportet tona nuk kanë qenë kurrë më keq sesa tani, megjithatë kjo ndryshoi gati katër orë më parë”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë përpara gazetarëve.

“Këtë dialog duhet ta kishin (nisur) shumë kohë më parë”, shtoi ai.

Ndërsa Putini tha se nuk ka asnjë arsye të fortë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të jenë të tensionuara.

“Bisedimet e sotme reflektuan dëshirën tonë të përbashkët me Presidentin Trump për të përmirësuar situatën negative në marrëdhëniet dypalëshe, për të caktuar hapat e para për përmirësimin e tyre, për të rivendosur një nivel të pranueshëm besimi dhe për t’u kthyer në bashkëpunimin e nivelit të mëparshëm për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”, deklaroi shefi i Kremlinit.

Më herët gjatë ditës së hënë, përpara nisjes së takimit të tij me Presidentin Vladimir Putin, lideri amerikan u shpreh përmes një mesazhi në rrjetin social, “Twitter”, se lidhjet me Rusinë nuk kishin qenë kurrë më të këqija sesa kaq duke fajësuar politikanët amerikanë për këtë situatë.

Trumpi sulmoi atë që ai e quajti “budallallëkun” e paraardhësve të tij, si dhe hetimin e “sajuar” – sipas tij, – mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ministria e Jashtme ruse u përgjigj gjithashtu përmes së njëjtës platforme sociale me postimin: “Ne jemi dakord!”

Gjatë takimit të tyre, Putini dhe Trumpi diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë ndërhyrjen e supozuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe Sirinë.

Pasi vuri në pah se një bashkëpunim më i madh Moskë-Uashington “ka potencial për të shpëtuar qindra-mijëra jetë” në konfliktin sirian, Trumpi nënvizoi se me Putinin kanë vendosur ta bëjnë një gjë të tillë.

“Unë mendoj se ne të dy do të jemi shumë të interesuar ta bëjmë këtë. Dhe ne do ta bëjmë këtë”, siguroi ai.

SHBA-ja dhe Rusia janë në anët e kundërta të konfliktit sirian duke qenë se Moska është mbështetësi kryesor i regjimit sirian në terren dhe arenën ndërkombëtare.

Para samitit të drejtpërdrejtë në Helsinki, dy liderët janë takuar vetëm në kuadër të takimeve të mëdha ndërkombëtare duke rritur rëndësinë e takimit bilateral me format të plotë.

Trumpi tërhoqi vëmendjen se kishte shfrytëzuar rastin për të pyetur Putinin rreth asaj që zyrtarët e inteligjencës amerikane e kanë përshkruar si “fushatë gjithëpërfshirëse e Moskës për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 në favor të Trumpit” duke thënë se kreu i shtetit rus vazhdon ta mohojë që të ketë pasur ndonjë një rol në këtë çështje.

“Kam shumë besim te njerëzit e mi të inteligjencës, por unë do t’ju them se Presidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fortë dhe i fuqishëm në mohimin e tij sot”, potencoi lideri amerikan.

“Ai propozoi që zyrtarët amerikanë të angazhuar në këtë hetim të marrin në pyetje 12 agjentët rusë të akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e 2016, për t’iu shkuar deri në fund dyshimeve të Amerikës. Mendoj se kjo është një ofertë e pabesueshme”, shtoi Trumpi duke iu referuar 12 anëtarëve të dyshuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Inteligjencës së Rusisë (GRU), të cilët u paditën të premten e kaluar nga një gjykatë e SHBA-së me akuzën për sulme kibernetike me shënjestër fushatën e kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe Komitetin Kombëtar Demokratik.

Akuzat janë ato më të fundit nga kreu i Këshillit Special për hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA dhe çështjet e lidhura me të, Robert Mueller, të cilin presidenti amerikan e kundërshton dhe kritikon në mënyrë të përsëritur, madje edhe gjatë ditës së takimit me homologun rus.

“Hetimi është një fatkeqësi për vendin tonë. Mendoj se na ka mbajtur larg. Ai na mban të ndarë”, deklaroi ai duke shtuar se “ajo çfarë po ndodh me hetimin është qesharake”.

Putini, nga ana e tij pranoi të ketë qenë i kënaqur me fushatën elektorale të presidentit amerikan, pasi – siç tha ai vetë – “si kandidat i atëhershëm republikan, Trumpi fliste për përmirësimin e raporteve me Rusinë”.

Shefi i Kremlinit vazhdoi të mohojë çdo përfshirje në zgjedhjet amerikane.

“Ndërkohë që garonte si kandidat, Presidenti Trump fliste për nevojën e rivendosjes së marrëdhënieve ruso-amerikane. Natyrisht që në shoqërinë ruse kishte simpati për këtë kandidat dhe njerëz të ndryshëm mund ta shfaqnin këtë simpati”, theksoi Putini duke vijuar me një pyetje retorike: “A nuk është e natyrshme që të ushqehet simpati për një person i cili dëshiron të ndërtojë marrëdhënie me vendin tonë?!”

Pasi dhanë detaje rreth çështjeve të diskutuara mes tyre në këtë takim, Putini i dhuroi Trumpit një top futbolli (Telstar) të Kampionatit Botëror 2018, në shenjë falënderimi për fjalët e mirat të tij në lidhje me organizimin e Botërorit 2018 të futbollit në Rusi.

“Topi është në dorën tënde”, i tha ai Trumpit me pak shaka.

Ndërsa presidenti amerikan ia hodhi topin Zonjës së Parë, Melania Trump, e pranishme në sallën e konferencës për shtyp, duke thënë se do t’ia jepte atë djalit të tij, Barron.



Lajme të ngjashme