Izraeli paralajmëron Esadin, në kufi do të lejojë vetëm forcat e regjimit

Përmes ShBA-së dhe Rusisë Izraeli ka dërguar një mesazh të qartë regjimit sirian se në kufirin verior do të tolerojë vetëm praninë e ushtrisë së Esadit dhe kurrsesi praninë e grupeve nga Irani apo Hizbullahut libanez.

1003499
Izraeli paralajmëron Esadin, në kufi do të lejojë vetëm forcat e regjimit

Qeveria e Izraelit ka deklaruar se në kufirin siriano-izraelit do të lejojë vetëm angazhimin e forcave të armatosura besnike të regjimit të Beshar Esadit.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar ushtarakë, gazeta "Haaretz" shkruan se Izraeli përmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Rusisë i ka dërguar një mesazh të qartë Esadit se në kufirin e vet verior do të tolerojë vetëm praninë e ushtrisë siriane dhe kurrsesi praninë e grupeve aleate të Esadit nga Irani apo Hizbullahu libanez.

Kjo ishte dhe tema kryesore e takimit të fundit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Gadi Aisenko dhe homologut të tij amerikan, Joseph Dunford në Uashington.

Izraeli pret që regjimi sirian të respektojë marrëveshjen dypalëshe të paqes të vitit 1974, e cila ndalon një prani të madhe ushtarake dhe njësitë të artilerisë në zonën kufitare të demilitarizuar.

Izraeli dhe Siria ndahen në Lartësitë e Golanit, të cilat u pushtuan nga forcat izraelite në Luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967.

Paralajmërimet izraelite ndaj Damaskut janë bërë në kulmin e sulmeve të intensifikuara të regjimit në provincën Dera.

Të paktën 97 civilë u vranë në një operacion të ndërmarrë nga forcat e regjimit sirian dy javë më parë.

 


Lajme të ngjashme