Austri – Vjena merr presidencën e BE-së, synon përshpejtimin e zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor

Në Schladming të Austrisë u mbajt të shtunën ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit të presidencës gjashtëmujore të Bashkimin Evropian...

1003104
Austri – Vjena merr presidencën e BE-së, synon përshpejtimin e zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor

Në Schladming të Austrisë u mbajt të shtunën ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit të presidencës gjashtëmujore të Bashkimin Evropian.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kancelari austriak, Sebastian Kurz, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Menaxhimi i çështjes migratore, objekt i një marrëveshje të brishtë në samitin e zhvilluar në Bruksel, do të jetë dosja parësore e presidencës së radhës austriake të BE-së, e cila fillon zyrtarisht nga e diela dhe do të zgjasë gjashtë muaj.

Vjena ka fiksuar si objektiv edhe përparimin në fushën e zgjerimit të Unionit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Austria për presidencën e saj të tretë të BE-së ka zgjedhur moton “Një Evropë që mbron” duke iu bashkuar shqetësimeve të shumicës së vendeve anëtare.

Krahas kësaj çështjeje shumë të nxehtë, të cilën Vjena e kishte vendosur në krye të listës së saj para se krerët evropianë të diskutonin mbi fatin e refugjatëve, qeveria e Kancelarit Sebastian Kurz pritet gjithashtu të fokusohet në negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së.

Pra, një tjetër sfidë e madhe e presidencës austriake është që të përparohet në negociatat mbi buxhetin afatgjatë të BE-së për periudhën 2021-2027.

Këtë javë, Kurz e vlerësoi të mundshme arritjen e një marrëveshje para zgjedhjeve parlamentare evropiane.

Negociatat për buxhetin shumëvjeçar të BE-së janë të komplikuara për shkak të shkurtimeve të propozuara nga Komisioni Evropian në lidhje me Politikën Bujqësore të Përbashkët dhe për rajonet.

Nga ana tjetër, ky buxhet pritet të sjellë shumë risi, pasi për herë të parë do të mundësojë financimin e kapaciteteve ushtarake dhe të infrastrukturave të përdorshme nga ushtria dhe do të japë mjete financiare për Evropën e Mbrojtjes.



Lajme të ngjashme