Princi William i pari i familjes mbretërore britanike që viziton Ramallahun

Në kuadër të turneut të tij të vizitave në Lindjen e Mesme, Princi William vizitoi Jordaninë dhe Izraelin, ndërsa ndalesa e fundit ishte Palestina.

Princi William i pari i familjes mbretërore britanike që viziton Ramallahun

Presidenti palestinez Mahmud Abbas riafirmoi përkushtimin e tij për arritjen e një marrëveshjeje me Izraelin përmes negociatave.

"Jam duke kërkuar krijimin e një shteti palestinez në tokat e pushtuara në vitin 1967, që do të ekzistojë bashkërisht me Izraelin në siguri dhe stabilitet", tha Abbas gjatë takimit të tij me Princin William në qytetin perëndimor të Ramallahut.

"Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar për një kohë të gjatë. Ne duam paqe përmes negociatave", tha ai.

Abbas theksoi se shpreson që vizita e Princit William do të forcojë marrëdhëniet midis popullit palestinez dhe Britanisë.

"Shpresojmë që kjo nuk është vizita juaj e fundit dhe se do të na vizitoni përsëri kur populli palestinez të fitojë pavarësinë", iu drejtua Abbas Princit William, i cili mbërriti në Ramallah nga Jerusalemi më herët gjatë ditës.

Princi William, nga ana tjetër, tha se është i gëzuar për vizitën në Palestinë dhe që ka mësuar rreth kulturës së këtij vendi.

"Palestina dhe Britania kanë marrëdhënie të forta dhe ne kemi histori suksesi në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa shpresojmë t'i vazhdojmë këto marrëdhënie", u shpreh ai.

Gjatë vizitës së tij në Ramallah, Princi William mori pjesë në një veprimtari kulturore me valle tradicionale palestineze Dabkeh dhe në një ndeshje futbolli. Gjithashtu është planifikuar që ai të vizitojë edhe kampin e refugjatëve Jalazoun në veri të Ramallahut.

Princi William është përfaqësuesi i parë i familjes mbretërore britanike që viziton Izraelin dhe territorin palestinez. Ai filloi turneun e tij në rajon duke vizituar Jordanin dhe Izraelin dhe pati bisedime me zyrtarë në të dy vendet. (AA)



Lajme të ngjashme